Rama: Samitin e NATO-s në Tiranë do ta mbrojmë me dronë “Made in Albania”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se samiti i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në Tiranë do të ketë një nivel të lartë sigurie, ku pjesë e mbrojtjes do të jenë dronët e prodhimit shqiptar.

Rama bëri të ditur se përveç dronëve, vendi do të nisë prodhimin e autobusëve për fëmijë, makinave ushtarake dhe uniformave për forcat e armatosura. Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes do të jetë bashkëpronare e kësaj industrie të re dhe se shteti shqiptar do të përfitojë financiarisht nga kjo fushë. Kompania që do të udhëheqë këtë proces do të quhet “Guna”.

“Shteti shqiptar do të prodhojë të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave, pa tendera, përmes një kompanie shtet-privat. Ne do të prodhojmë makinat tona ushtarake dhe do t’i shesim botës”, tha Rama.

Ai shtoi se fakti që Shqipëria është zgjedhur për të pritur samite të rëndësishme evropiane dhe atë të NATO-s nuk është rastësi, por rezultat i forcimit të rolit të vendit në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu, Rama paralajmëroi se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të aplikojë inteligjencën artificiale në prokurime. Sipas tij, 95% e procesit të prokurimit do të kryhet me ndihmën e AI, duke eliminuar tenderat e drejtpërdrejtë nga ministritë, të cilat do të përqendrohen vetëm në politikëbërje.

“Ne kemi ndërtuar një sistem të prokurimeve të përqendruara që tashmë ka sjellë miliona euro kursime. Mandati i katërt do të nisë me këtë risi, që ministrat nuk do të bëjnë më asnjë tender”, theksoi kryeministri.