Rama: Rihapja e TikTok-ut jo dorëzim e mbyllje sysh, vendosen filtra për mbrojtjen e fëmijëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot gjatë episodit të radhës të podkastit “Flasim” se rihapja e TikTok-ut nuk është tërheqje dhe dorëzim nga ana e qeverisë.

Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se janë vendosur mekanizma të reja dhe filtra për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë”, tha Rama.