Rama padit Ministrinë e Financave: 35 milionë euro të bllokuara politikisht ndaj Prishtinës

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës një kërkesë kundër Ministrisë së Financave, për siç tha ai, cenimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Rama theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, mjete që sipas tij i takojnë ligjërisht kryeqytetit.

“Fondet të cilat me ligj i takojnë Kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin,” shtoi Rama.

Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, deklaroi po ashtu se bllokimi i këtyre mjeteve nga Ministria e Financave, ka hyrë në muajin e nëntë.

“Siç jeni në dijeni, tash e nëntë muaj kjo ministri e ka bllokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës. Në argumentin tonë, kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti por edhe jeta e qytetarëve. Kjo është bllokadë puro politike,” tha Manaj.