Dozat e para të vaksinave antiCovid sipas marrëveshjes me kompaninë amerikane Pfizer duhet të kishin mbërritur në fillim të kësaj jave në Shqipëri do të vonojnë edhe një javë tjetër.
Kryeministri ka pohuar se deklarata e Pfizerit se vetëm pas 25 Janarit do të jetë në gjendje të ketë sasitë e nevojshme për shpërndarjen e vaksinave për shtetet që kanë marrëveshje me të, përfshin dhe vendin tonë.
“O Zot. Po të kishin mbërritur do ta kishe marrë vesh. Ti ke hall mos kanë ardhur fshehtas edhe këto. Pfizer ka bërë një deklaratë që ka ndezur zjarr dhe polemika me shumë shtete duke thënë që do ta shtyjë për një javë procesin e dorëzimit të dozave që ka kontraktuar. Si t’ja bëjmë tani?”, u shpreh Rama.
Rama pranon se ishte nxituar kur kishte deklaruar se do ta bënte publike marrëveshjen me Pfizerin. Si argument se kishte të drejtë për akuzat ndaj BE që e la Ballkanin jashtë mbështetjes për vaksinën, sjell deklaratat e shefit të OBSH.
“Merreni, lexojeni, çfarë ka thënë OBSH për shpërndarja e vaskinave. Ka shkuar shumë më larg se unë. Ka thënë jemi në prag të një katastrofe morale për njerëzimin. “am respekt absolut për gjithçka e bën BE një forcë të pazëvendësueshme. Po ça do me thënë kjo, mos hap gojë për të mbrojtur njerëzit e mi? Njerëzit që përfaqësoj? Mos hap gojë për t’i sjellë sa më shpejt gjyshit e gjyshes tënde (i drejtohet gazetares) vaksinat, pse? Se mërzitet ambasada?”
I përgjigjet dhe opozitës që e sulmon lidhur me këtë deklaratë, ndërsa i kujton qëndrimet që përfaqësues të saj pa përmendur emra kanë mbajtur ndaj ambasadorëve të BE.
“Opozita me reagimin e vet ka treguar karakterin e vet, karakter i dobët, i atyre që kur kanë pasur pushtetin i janë përulur e servilizëm kujtdo që kanë folur me gjuhë të huaj. Unë nuk hyj në këtë kategori”.
Në konferencën e përjavshme në krah të ministres së Financave dhe drejtoreshës se Tatimeve duke folur për fiskalizimin kryeministri kërkon një mandat të tretë për këtë qeveri për përmbylljen e këtij procesi.
Tv Klan