Këtë, kreu i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste, e tha gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Athinë, ku shkon për të dytën herë brenda pak muajsh dhe për të fundit herë përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka quajtur “absurd” ligjin e luftës që Greqia e ka ende aktiv me Shqipërinë, teksa ka premtuar të hapë një epokë të re të partneritetit strategjik.
“Fajin” për ligjin e luftës, Rama ia la nacionalistëve, të cilëve iu referua si “këneta nacionaliste”, ndërsa dy popujt, atë shqiptar dhe atë grek, i cilësoi si të afërt dhe anëtare të NATO-s.
Këtë, kreu i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste, e tha gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Athinë, ku shkon për të dytën herë brenda pak muajsh dhe për të fundit herë përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Më herët, Rama u kërkoi votën shqiptarëve të Athinës, për të mundësuar hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjë që sipas tij, vetëm socialistët mund ta bëjnë.
Duke iu referuar raporteve me qeverinë e Kyriakos Mitsotakis, homologut të tij grek, Rama theksoi se ato janë shumë pozitive dhe se ka dialog të vazhdueshëm, ku është bërë përparim sipas tij në ato çështje ku ka pasur dakordësim.
Ndër to, edhe çështje, të cilat lidhen me minoritetet dhe vendime për të sanksionuar disa të drejta të tyre.
“Çështje që duheshin zgjidhur dhe janë zgjidhur. Kemi në tavolinë nga ana jonë kërkesën për të hequr përfundimisht ligjin e luftës sepse është absurditet. Dy popuj të afërt dhe anëtare të NATO-s dhe jemi në gjendje lufte sepse ka një ligj absurd. Insistimi ynë është ky ligj duhet të hiqet”, theksoi ai.
Ndërsa, për kundërshtarët politikë, e pati po ashtu adresimin indirekt:
“Besoj që ky ligj dhe çështje të mbetura ku shumë shpesh bufat e kënetave nacionaliste andej e këtej kanë bërë lëmsh dynjanë”.
Teksa këmbënguli se ai dhe qeveria e re socialiste (pasi pret të fitojë zgjedhjet) do të dalin sipër “kënetave” dhe do të bëjnë të mundur hapjen e një epoke partneriteti stretagjik.
Çfarë tha më herët Rama?
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka të qartë se lajtmotivi i tij për të kërkuar votën e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, do të jetë ai për të futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 dhe nga Athina, pikërisht rreth këtij premtimi u kërkoi votën bashkatdhetarëve.
Në një takim të dytë me diasporën nga kryeqyteti grek, Rama theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit dhe vijoi me mesazhet që pati dhënë një ditë më parë në Kretë.
Në nisje të fjalës së tij në Athinë, Rama u shpreh se vota e diasporës i nevojitet kësaj mazhorance jo vetëm për një mandat më shumë në pushtet, por për të realizuar ëndrrën për të qenë në Bashkimin Evropian.
“Pas zgjedhjeve do të vijmë të bëjmë një festë të madhe falënderimesh për të gjithë ju, dhe do të vijmë për t’ju thënë që ne nuk i deshëm votat tuaja për të marrë katër vite më shumë ulur ne karrige, por me votat tuaja duam të vrapojmë për të realizuar ëndrrën shekullore që të jemi pjesë e Evropës të barabartë me evropianët”, theksoi kreu i Qeverisë.
Ndërkaq, kreu i socialistëve u ndal edhe në disa detaje të tjera, si paga mesatare, për të cilën premtoi ta çojë në nivelin e 1 mijë eurove.
“Paga mesatare ishte 370 euro, në sektorin publik, ku njerëzit punësohen për t’u shërbyer të tjerëve. Sot, me vitin 2024 të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1 mijë euro, e shikojmë me optimizëm mandatin e katërt”, përforcoi ai.
“Ky është lajmi për të gjithë ju dhe ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku mund të kthehen, por ende ngurrojnë për shkak se janë të pasigurt nëse do të gjejnë aty të paktën atë që kanë këtu, ndërkohë që them se kush ka kurajën të kthehet sot, do të gjejë aty mundësinë që nesër do të ketë më shumë se këtu”.
Sipas kryeministrit, paga mesatare e përgjithshme asokohe (para marrjes së pushtetit nga socialistët) ishte 320 euro, ndërsa sot paga mesatare e përgjithshme është 830 euro. Këtë në mandatin e katërt ai kërkon ta çojë në 1 mijë euro.
Ndërsa nuk la pas edhe batutat, duke iu referuar opozitës dhe Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili pritet të mbahet në Tiranë më 15-16 maj.
“Në 16 maj vijnë të gjithë liderët e Evropës jashtë BE-së, që nga Britania tek Ukraina, Turqia e me radhë. Vjen edhe Sekretari i NATO-s. Imagjinoni se çfarë ndryshimi ka midis një mesazhi të 11 majit ku shqiptarët pa ndasi politike i çojnë Evropës mesazhin që të gjithë duam të hyjmë në BE tani, dhe një mesazhi të paqartë”, referoi Rama te pjesëmarrësit.
Ndërsa tha mbi opozitën: “Imagjinoni sikur, se kjo nuk ndodh, atyre t’u shfaqet ‘bufi i kënetës’ (i referohet liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, red.) si bashkëbisedues. Imagjinoni BE-në dhe NATO-n që bashkëbisedojnë me ‘bufin e kënetës’”.