Rama nënshkruan marrëveshje me KRM “Pastrimi” për menaxhimin e mbeturinave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”, për të përforcuar menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet.

Siç ka shkruar Rama në Facebook, në bazë të kësaj marrëveshjeje, sot ka nisur angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në qytet.

“Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më efikase dhe në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, shkroi ndër të tjerash i pari i kryeqytetit.