Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që po mbahet në kryeqytetin e Italisë, Romë, ndërkohë, në fjalën e tij ka theksuar se paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Evropa, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Kryeministri Rama iu drejtua me një fjalim forumit, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën.
“Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushëbetejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët evropianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi”, u shpreh Rama.
Ai tha se ndërkohë që mbështesin Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, duhet të bëjnë maksimumin që të mos e lënë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve.
“Nuk duhet ta lëmë fjalën ‘paqe’ të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona. Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Evropës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Evropian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Evropës, ditë e natë. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës”, tha ai.
Rama theksoi ndër të tjera se “Nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Evropa”.
Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës 2025, e organizuar bashkërisht nga qeveria italiane dhe ajo ukrainase, ka filluar në kryeqytetin italian Romë
Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 100 delegacione qeveritare, 40 organizata ndërkombëtare, përfshirë bankat kryesore të zhvillimit, 2 mijë kompani, autoritete lokale, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mbi 500 gazetarë të akredituar.
The post Rama në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës: Paqja, e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Evropa appeared first on Kosovapost.net.