Rama në hapjen e panairit ITB Berlin 2025: Shqipëria priti 400 mijë turistë gjermanë në 2024-ën

“Vitin e shkuar Shqipëri priti 12 milionë turistë teksa shifrat e janarit dhe shkurtit të këtij viti kanë arritur rekorde të tjera”, kështu u shpreh  Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes se panairit të turizmit ITB Berlin 2025.

“Kur unë mora detyrën në 2013-ën, shifrat ishin krejt ndryshe nga 1990-a, por edhe aso kohe ishin kaq të ulëta krahasuar me shifrat e sotme, nja 2 milionë vizitorë krahasuar me 12 milionë që pritëm vitin e kaluar. Shohim këtë vit shifra edhe më të larta me janarin dhe shkurtin që kanë vendosur rekorde të reja. Deri pak vite më parë numri i gjermanëve që vizitonin Shqipërinë shkonte rreth 100 mijë, ndërkohë që vitin e kaluar u rritën në afro 400 mijë. Por duam më shumë sepse gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve”, vijoi Rama.

Pushuesit më të mirë Rama tha se janë gjermanët.

“Kur njerëzit në botë mendojnë për gjermanët, e para gjë që iu vjen në mendje është imazhi i tyre si punëtorë të mëdhenj, por në të vërtetë gjermanët janë po kështu pushuesit kryesorë në botë. Ata ua kalojnë edhe kinezëve dhe të gjithë të tjerëve sa u takon numrave vjetorë të turistëve. Jo sepse janë më shumë në kuptimin e shifrave, por sepse qëndrojnë më shumë ditë gjithsej. Kështu që kushdo mendon që gjermanët nuk janë shumë të zgjuar dhe thjesht punojnë e kanë gabim, gjermanët po kështu pushojnë më shumë sesa të tjerët. Dhe i duam sepse pinë shumë birrë, por po kështu hanë shumë, por na vizitojnë. Edhe nëse ka më shumë për të ngrënë në Gjermani, shijet e Shqipërisë janë shumë më të mira”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Rama deklaroi sot se, kulmi i mikpritjes shqiptare u dëshmua gjatë Luftës së dytë Botërorë kur Shqipëria mbrojti miqtë e saj hebrenjtë

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes se panairit të turizmit ITB Berlin 2025, Rama u shpreh se, “a keni dëgjuar ndonjëherë për një ligj në vend që deklaron shtëpitë tona i përkasin Zotit dhe mikut. Ndërkohë që një ligj i tillë i shkruar në Shqipërinë mesjetare, është bërë tashmë pjesë përbërëse e mënyrës së jetesës së Shqipërisë. Është thelbi i asaj ç’ka ne e quajmë Albanity (shqippritje), që në anglisht duket si një shkrirje harmonike e Shqipërisë dhe mikpritjes, por në shqip do të thotë të bësh të pamundurën për të nderuar emrin, shtëpinë e mikun.

Kulmi i mikpritjes shqiptare u dëshmuar gjatë Luftës së dytë Botërorë kur Shqipëria mbrojti miqtë e saj hebrenjtë duke u bërë i vetmi vend në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj. Ne kemi qenë dhe jemi ende një vend myslimanësh, të krishterësh ortodoksë dhe katolikësh dhe megjithatë, kur përballemi me zgjedhjen midis hebrenjve dhe djallit, paraardhësit tanë qëndruan fort krah hebrenjve, duke rrezikuar jetët e tyre, duke refuzuar që të dorëzonin qoftë edhe një frymë të vetme tek nazistët”, tha Rama.