Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të Albana Koçiut si ministre e re e Brendshme, njoftoi për një marrëveshje të re që, sipas tij, do të ndryshojë rrënjësisht nivelin e sigurisë në vend.
“Kemi bërë marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë, marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara që tanimë, më në fund u kolaudua dhe do të na japë mundësinë të kemi qytete inteligjente, mbulim me kamera inteligjente tërësore nga rrugët, tek shkollat, për të na dhënë një nivel sigurie që nuk e kanë edhe vende të mëdha europiane. Do të mbulojmë me kamera inteligjence qytetet më të mëdha dhe akset kryesore në vend. Do të ketë një video regjistrim brenda shkollave, i cili do të jetë i aksesueshëm nga policia e shtetit”, deklaroi Rama.