Partia Socialiste hapi pasditen e sotme në Parkun Olimpik të Tiranës zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në mungesë të opozitës kryesore në zgjedhje, kryeministri Edi Rama u shpreh se qëllimi i 30 Qershorit është që të fitojë qytetaria.
“Kjo që nisim sot nuk është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtarë, por një betejë e madhe historike me kundërshtarët e zgjedhjeve. Ne nuk do të kërkojmë votën, por qytetarinë, përgjegjshmërinë kombëtare dhe përgjegjësinë” tha ai.
Në 30 qershor, u shpreh ai fillon një epokë e re duke lënë pas fantazmat dhe hienat e së shkuarës. Rama shpjegoi edhe njëherë se përse 30 Qershori nuk mund të ndryshojë. Ai u foli edhe demokratëve, duke thënë se opozitarët nuk futen në zgjedhje, pasi kanë frikë nga humbja që i pret.
Rama kishte një paralajmërim të fortë për të gjithë ata që kërcënojnë me bllokimin procesit e zgjedhor. “Do u themi sa keq mund të përfundojë një individ që dënohet për krime zgjedhore, duke humbur edhe lirinë e lëvizjes në SHBA bashkë me gjithë anëtarët e familjes së tij, kush nuk beson le të shkojë të pyes plakun (Berishën), po ashtu edhe të hyrjes në BE” tha ai.
Gjithashtu Rama u kujtoi opozitarëve që të mos e marrin vetëpërmbajtjen e socialistëve për qetësi dhe tulatje, pasi po luajnë me zjarrin. “Kush e merr qetësinë për tulatje dhe na kujton akoma këtë vend si sheshin e vjetër për përsheshin e një plaku të marrë dhe kush gënjehet nga vetëpërmbajtja jonë luan me zjarrin”. Në fund ai dha edhe një qasje personale duke thënë se mund të jetë arrogant, por kurrë kriminel dhe hajdut.