Rama: Kosova dhe Shqipëria me President të përbashkët kombëtar?

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen mund të kenë një president të përbashkët kombëtar.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama duke shtuar se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet. “Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka deklaruar kryeminisrtri Rama.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli në fjalimin e tij ka deklaruar se “dhjetë vjet më parë ishin pak ata që besonin se mund ta bënim shtetin. Por ia dolëm,sepse patëm miq”. “Për vrojtuesit e historisë të arriturat janë shumë të mëdha, dikush do të thoshte të paimagjinueshme”, ka deklaruar Veseli. “Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Veseli.

Kurse, kongresisti amerikan Eliot Engel e ka uruar popullin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarërsisë, duke theksuar se po sheh përparime gjatë vizitave. “I di shkeljet e të drejtave të njeriut, presionin ,shtypjet, e di që ka pasur një dekadë të pritjes për pavarësi, por pas pritjeve e kemi arritur pavarësinë”, u shpreh Engel.

“Urime ditëlindjen Kosovë, keni bërë një ditëlindje të mrekullueshme”, theksoi Engel.