Rama: Kompani publike për të formalizuar tregun e naftës dhe shmangur abuzimin me çmimet

Kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar se shteti shqiptar do të ndërhyjë për të rregulluar tregun e naftës në vend.

Duke folur në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë numër 4 në kryeqytet, Edi Rama tha se qeveria do të hyjë në treg me një kompani publike për të rregulluar tregun e naftës dhe për të bërë “që konsumatorët tanë të karburanteve nuk detyrohen të paguajnë më shumë se çfarë u takon”, shkruan rtsh.al.

“Ne sot kemi problem naftën që është goditur nga kriza, por është edhe një problem përtej krizës që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Ajo kriza e shkaktuar në Ngushticën e Hormuzit e ka ngritur çmimin gjithandej e ka çuar në stratosferë. Sidomos kur më çonin disa miq nga Gjermania, tmerr.

Ndërkohë që kjo na gjen kur ne kishim filluar në fakt. Unë e kam thënë që në Asamblenë e parë pasi fituam që ne do të hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, me një faktor shtetëror, me një kompani publike dhe pse do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike?

Do të hyjmë për të garantuar që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve nuk detyrohen të paguajnë më shumë se çfarë u takon dhe për t’u siguruar nga rezervat”, u shpreh Rama.

Ai vuri në dukje se synimi i kësaj kompanie është që të krijojnë mundësinë e formalizimit të tregut të naftës për të shmangur manipulimet dhe abuzimet.

Sipas kryeministrit Rama, ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit shqiptar. Ndërsa shpjegoi se “nafta transit që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë kufij tokësorë me Shqipërinë dhe një pjesë e saj mbetet në Shqipëri në mënyrë ilegale”.

“Tani me kompaninë publike që kemi krijuar që është një kompani që ka krijuar shteti në Emiratet e Bashkuara. Ne do të nxjerrim për 1-2 muaj, një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm dhe kjo do të ndihmojë shumë për të formalizuar tregun e naftës sepse ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit.

Tjetra është ajo që quhet nafta transit që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë kufij tokësorë me Shqipërinë dhe një pjesë e saj mbetet në Shqipëri në mënyrë ilegale. Edhe për këtë kemi një produkt me të njëjtën kompani, që është kompani e shtetit shqiptar, ku shteti shqiptar ka shumicën dhe miqtë tanë të Emirateve kanë pjesën tjetër të aksioneve për të ndjekur të gjithë naftën transit e cila deri më sot është ndjekur me makina.

Këto do të kenë impaktin e tyre pozitiv. Dhe ne duam që kompania publike të jetë furnizues në treg, dhe duke qenë furnizues në treg të përcaktojë rregullat e lojës duke imponuar jo një çmim arbitrar që ta vendosë qeveria, por një çmim që është çmim real që është i bazuar te bursa që u jep mundësi distributorëve që të fitojnë por jo të stërfitojnë”, deklaroi më tej Rama.