Rama i përgjigjet Muratit: Prishtina e ka kryetarin, LDK e ka kryetarin – së shpejti Kosova do ta ketë kryeministrin e ri

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit Hekuran Murati, duke i kujtuar se kryeqyteti ka institucionet e veta legjitime dhe se përçarjet nuk i ndihmojnë askujt.

Rama thotë se Prishtina e ka kryetarin dhe se LDK-ja ka fituar mandatin e qytetarëve, ndërsa shprehet i bindur se së shpejti edhe Kosova do ta ketë kryeministrin e ri, Lumir Abdixhikun.

Ai e akuzon Muratin dhe Qeverinë se po përpiqen të krijojnë tensione politike, por thekson se LDK nuk bie në të njëjtin nivel.

“Ne ju shohim, ju lexojmë, por nuk biem në nivelin tuaj. Thjesht punojmë dhe fitojmë. Ashtu siç e fituam kryeqytetin dy herë,” shkruan Rama.

Kryetari i Prishtinës thekson se LDK ka besimin e qytetarëve, ndërsa, sipas tij, ajo që ka Murati është një kallëzim penal dhe një çështje në Gjykatën Kushtetuese për, siç e quan ai, një bllokim të pajustifikueshëm të kryeqytetit, për të cilin thotë se do të ketë përgjegjësi “sot apo nesër”.