Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të sotme në Skenderaj, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë ai, “manipulim politik” dhe nxitje të përçarjes mes qytetarëve.
Përmes një postimi publik, Rama ka deklaruar se Skenderaj u përdor si “skenë për manipulimin e radhës politik”, duke pretenduar se situata e krijuar kishte për qëllim prodhimin e tensioneve artificiale dhe thellimin e konfrontimit politik.
“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve dhe për të krijuar një klimë konfrontimi politik. Kur një kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët, ai nuk po qeveris, por po manipulon”, ka shkruar Rama.
Ai ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e mosparaqitjes së Kurtit ndaj ftesës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke e akuzuar se po sillet “mbi ligjin”.
Sipas Ramës, prania e shtuar e forcave policore në rajonin e Drenicës tregon, sipas tij, “nevojën për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike”.
Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar si “akt të ulët” etiketimin e kryetarit të Skenderajt dhe ka paralajmëruar se tensionimi i qëllimshëm i situatës përbën rrezik për paqen sociale dhe stabilitetin e vendit.
“Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, ka përfunduar ai.








