Nga rubrika “Sy m’Sy”, Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi projektin madhor të hekurudhës “Kuq e Zi”, që synon të lidhë Durrësin me Prishtinën përmes Shkodrës dhe Gjakovës. Kreu i qeverisë theksoi se ky projekt nuk është pjesë e një axhende zgjedhore, por pjesë e strategjisë afatgjatë “Shqipëria 2030”.
“Hekurudha ‘Kuq e Zi’ është trajtuar në çdo fazë dhe është bërë publike në mbledhjet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës. Nuk ka lidhje me zgjedhjet. Ne kemi hyrë në një fazë të re, ku është përcaktuar edhe traseja më e mirë – ajo që kalon nga Shkodra në drejtim të Gjakovës dhe më tej në Prishtinë”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se kostoja për ndërtimin e linjës do të përcaktohet nga një studim i detajuar teknik, i cili do të kryhet nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë me mbështetjen e Fondit Europian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
“Sa do të kushtojë, këtë do ta tregojë projekti i detajuar. Por një gjë është e sigurt – pa financim, hekurudha nuk bëhet. A do të realizohet apo jo? Kjo mbetet në dorën e atyre që projektojnë në funksion të së ardhmes”, shtoi Rama.
Në vijim, ai renditi edhe disa nga projektet hekurudhore që janë aktualisht në zhvillim ose në faza përgatitore:
- Tiranë–Rinas–Durrës: Puna është drejt përfundimit.
- Durrës–Hani i Hotit: Punimet nisin brenda vitit.
- Rrogozhinë–Pogradec dhe Durrës–Rrogozhinë: Në fazë projekti.
- Korridori 8 hekurudhor: Me lidhjen Durrës–Fier–Vlorë, pritet të nisë në vitet në vijim.
“Hekurudhat janë një kapitull i ri për Shqipërinë. Para pak vitesh nuk na merrnin seriozisht, as Bashkimi Europian, as bankat zhvillimore. Sot jemi pjesë e tryezave të mëdha të investimeve dhe kjo reflektohet edhe në projektet që po marrin jetë”, tha Rama.