I pari i Prishtinës Perparim Rama, ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore dhe ka kthyer çështjen për rishqyrtim, duke i dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës në çështjen e sheshit “Xhorxh Bush”.
Rama tha se ky vendim vërteton se veprimi i komunës ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin. Ai theksoi se qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti i takon këmbësorëve, jo makinave.
“Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës,” tha Rama.
Ai theksoi rëndësinë e reduktimit të ndotjes së ajrit, hapjes së qytetit për këmbësorë dhe zhvillimin e hapësirave publike si çështje që lidhen me shëndetin publik, sigurinë dhe barazinë sociale.
“Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik! Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojne se koha e BLLOKADAVE të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!”, shkroi Rama në Facebook.
The post Rama: Gjykata e Apelit aprovon ankesën e komunës për sheshin ‘Xhorxh Bush’ appeared first on Kosovapost.net.