Rama: Europa po gabon që fokusohet vetëm tek armatimi, pa pasur një plan për paqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se është e gabuar që Europa po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek armatimi, pa pasur një plan të vetin për paqe.

Duke folur nga Riadi, ku po merr pjesë në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, Rama tha se kontinenti europian po rrezikon të humbasë ekuilibrin mes sigurisë dhe diplomacisë.

“Ka diçka thelbësisht të gabuar në faktin që çdo ditë dëgjojmë thirrje për riarmatime, për të menduar e folur vetëm për më shumë armë. Ndërkohë, nuk ka një plan paqeje që mund ta shohësh e të reflektosh mbi të”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi faktin se Europa, sipas tij, për vite me radhë ka ndjekur “autopilotin e SHBA-së” dhe tani po përballet me mungesën e një vizioni të qartë për paqe.

“Një Europë pa plan paqeje, që po ngec në një pozicion ku mendon vetëm për armatimet dhe jo për bisedimet për paqen, është shqetësuese”, theksoi Rama.

Ai shtoi se ndihet i shqetësuar për normalizimin e fjalës “bërthamore” në diskursin politik ndërkombëtar.

“Vetëm disa vite më parë askush nuk përdorte termin ‘bërthamor’. Sot, kërcënimet me raketa bërthamore janë bërë pjesë e fjalorit të përditshëm – dhe kjo është çmenduri”, shtoi Rama.

Në fund, kryeministri shqiptar u shpreh se reflektimi europian është i domosdoshëm për të mos humbur drejtimin e duhur. “Europa duhet të mësojë nga ajo që po ndodh në pjesë të tjera të botës dhe të rimendojë pozicionin e saj, në vend që ta marrë legjitimitetin moral si të mirëqenë”, tha ai.