Rama darkon me Ivanka Trump në Vlorë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim privat me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë, në kuadër të diskutimeve për projekte të reja zhvillimore.

Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se ndalesa e parë e kryeministrit ka qenë Kompleksi “Gjurmë”, ku takimi po zhvillohet larg vëmendjes së mediave dhe pa praninë e publikut.

Sipas të njëjtave burime, fokusi i bisedimeve lidhet me ide dhe projekte të reja zhvillimi, të orientuara drejt investimeve strategjike dhe vizionit urbanistik për zonën e Vlorës, një nga qytetet bregdetare me potencial të lartë turistik dhe ekonomik.

Pamjet e publikuara nga A2 CNN tregojnë se kryeministri Rama, Ivanka Trump dhe Jared Kushner janë parë më vonë duke darkuar së bashku në një restorant në qytet. Gjatë kësaj kohe, në zonë janë vërejtur masa të shtuara sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë.