Rama braktis seancën me pushtetin, dështon mbajtja e seancës së Kuvendit të Prishtinës

Ka dështuar të mbahet seanca e katërt e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës, pasi pushteti së bashku me asamblistë të Aleancës Kosovës e Re (AKR) dhe asamblistët e pavarur e kanë lëshuar sallën, duke e lënë Kuvendin pa kuorum. 

Së bashku me ta e lëshoi sallën edhe kryetari Përparim Rama e drejtorët komunal, pasi kërkesa e shefes së grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jeta Rafuna, për rikthimin e disa pikave në rendit të ditës, nuk kaloi.

Propozimi rendit të ditës nga Rama pësoi një ndryshim në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financave (KPF), që u bë nga opozita. Me shumicë votash ata ndryshuan renditjen dhe shtuan edhe disa pika të tjera. Në mesin e tyre ishte edhe subvencionimi i borxhit të vjetër për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe raportimi i kësaj ndërmarrjeje në Kuvend.

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, ka deklaruar se ndërrimi i pikave të rendit të ditës ishte në kundërshtim me ligjin.

“Ishte një kërkesë e LDK-së e mbështetur edhe nga kryetari Rama që të procedohet në këtë mbledhje me pikat e dakorduara nga kryetari së bashku me kryesuesin. Kemi pasur një ndërhyrje nga Komiteti që është jokompetent dhe janë shtuar pika të rendit të ditës që as ekzekutivi e as asambleja nuk kanë qenë të gatshëm t’i diskutojnë. Prandaj është një procedurë që e kemi kërkuar t’i rikthehet ligjshmëria sa i përket përpilimit të rendit të ditës”, u shpreh Dushi, pas dështimit të seancës.

Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka theksuar se me këtë po dëshmohet se ekzekutivi po u ikë përgjegjësive të veta.

“Është vazhdimësi e ikjes së ekzekutivit nga përgjegjësitë e veta. Ne sot kishim një  varg çështje për t’i diskutuar mirëpo LDK dhe partnerët e tyre dhe ekzekutivi me krye me Përparim Ramën seanca përfundoi. Interesin e vet e që ka të bëj me çështje të pronave e vendos para çdo interesi tjetër. Ata kishin një propozim që të ndryshoi rendi i ditës në mënyrë që disa pika që kanë të bëjnë me plane urbanistike të kalojnë si pika të para, propozimi i tyre u hodh në votim mirëpo nuk kaloi pasi nuk i patën shumicën, ka pasur edhe asamblist të pozitës që kanë votuar kundër propozimit të pozitës mirëpo me daljen e tyre nga salla u pamundësua mbajtja e seancës”, ka deklaruar Sveçla.

Nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka deklaruar se me pikat e vjetra të rendit të ditës kryetari synonte të kalonte pika që janë në interes të tij personal dhe jo të qytetarëve.

“Në seancën e katërt të rregullt të thirrur nga kryetari erdhi thirrja që të lihet në diskutim pika e vjetër e rendit të ditës, e ku në atë rend të ditës nuk do të ishin pika për ‘Pastrimin’. Raportimi për ndërmarrjen e ‘Pastrimit’ dhe të ‘Termokosit’ ka qenë shumë e rëndësishme por e pamundësoi vet kryetari i komunës, Përparim Rama, ky është një vetbllokim që po ia bën kryetari i komunës së bashku me ekzekutivin. Nuk i është larguar asnjë pikë e rendit të ditës, ata kundërshtuan se plani rregullues i Cagllavicës si pikë e rendit të ditës nuk mbeti i dyti e që ky ishte interesi i Ramës që të kalojë sa më shpejt këtë pikë dhe t’i shlyej borxhet për premtimet që i ka bë vet Rama për ineteresa të caktuara  e që janë në kundërshtim me ligjin.  Pra dje doli dhe foli për problemet që i ka ‘Pastrimi’ ndërsa sot tenton të largojë këtë pikë nga rendi i ditës”, ka deklaruar Retkoceri nw seancë.

Asamblisti, Leutrim Retkoceri, ka reaguar pas largimit të kryetarit Përparim Rama nga seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Sipas tij, Rama e braktisi sallën bashkë me asamblistët e pushtetit për shkak se një pikë e rendit të ditës që kishte të bënte me ndërtimin në Çagllavicë nuk u vendos në krye të diskutimeve.

“Përparim Rama e braktisi sot sallën e Kuvendit Komunal, bashkë me asamblistët e pushtetit, vetëm pse Plani për betonizimin e 70 hektarëve tjerë në Çagllavicë – pika e tij e preferuar e cila ishte e 14-ta – nuk u vendos si pika e parë në rend dite, ashtu siç kërkoi”, ka shkruar Retkoceri në Facebook.

Ai ka thënë se me këtë lëvizje, Rama ka bllokuar diskutimin dhe miratimin e shumë çështjeve të rëndësishme për qytetarët.

“Me këtë lëvizje, ai bllokoi diskutimin dhe miratimin e shumë pikave të rëndësishme për Kryeqytetin Prishtina”.

Sipas Retkocerit, kryetari Rama po tregohet i papërgjegjshëm ndaj nevojave bazike të qytetit:

“Për të nuk ka rëndësi a mbetet qyteti pa pastrim, qytetarët pa shërbime, punëtori i ‘Pastrimit’ pa pagë, apo a vazhdon tallja me përgjegjësinë që e ka.”

Ai shton se Rama ka pamundësuar edhe shqyrtimin e Raportit Financiar të Komunës: “Ai e pamundësoi edhe shqyrtimin e Raportit Financiar të Komunës, ku më shumë se 10 milionë euro janë marrë nga përmbarimi – pasojë direkte e keqqeverisjes së tij”.

Retkoceri përmendi edhe mosangazhimin e Ramës për çështje që shqetësojnë qytetarët, si qentë endacakë apo faturat e fryra të ngrohjes:

“Qenët endacakë, të cilët janë brengë në shumë lagje për shumë banorë e prind, janë qesharake për të – sepse me këtë realitet nuk përballet, siç përballen qytetarët. As raporti i detajuar i ‘Termokos’-it nuk e shqetëson, ndonëse ai tregon qartë si janë fryrë faturat e ngrohjes për mijëra qytetarë”.

Në fund, ai thekson se prioriteti i vetëm i Ramës janë interesat ndërtimore në Çagllavicë: “Kryetari ka halle tjera. Ai e ka mendjen te 70 hektarë në Çagllavicë. Ka ngut ta ngjisë sa më lart në rend dite – sepse aty janë interesat e tij. Aty janë premtimet që u ka dhënë biznesmenëve për koeficientë ndërtimi. Ka borxhe për të larë – jo ndaj qytetarëve, por ndaj atyre që i financuan ‘rrugëtimin ndërtimor’.”

“Kryeqytetin nuk e ka seriozisht. Kryeqytetin e përdor. Atë që e ka seriozisht, janë tokat, koeficientat dhe kontratat milionëshe!”,  përfundon reagimin e tij Leutrim Retkoceri. /Demokracia.com/