Rama: 28 Nëntori nuk do të jetë festë por solidaritet

Kryeministri shqiptar në mbledhjen e hapur të qeverisë shqiptare tha se 28-29 Nëntori nuk do të jenë ditë feste, por ditë solidariteti për viktimat e tërmetit.

Më pas, Rama konfirmoi se sot pritet që të miratohet vendimi për ditën e zisë kombëtare dhe shpjegoi se pse nuk shpalli 3 ditë zie.

“Sot qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare. Këtu dua të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditëve të festave kombëtare e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie, sepse do të kishim dashur të ishte 3 ditë zie. Na ka pamundësuar që të imagjinojmë flamurin shqiptar në gjysmë shtizë në 28 dhe 29 Nëntorit ashtu sikundër është një normë e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi. Sepse janë ditë që kanë brenda një kujtim të jetëve të dhëna për atdheun”, tha Rama.

Sipas tij, dy ditët më të rëndësishme 28-29 Nëntorit nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive.

“Mendoj të shihen si dy ditë solidariteti kombëtar, ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që mund të ndihmojë”, tha Rama.