Rahoveci miraton raportin për dëmet nga vërshimet e janarit

Kuvendi Komunal i Rahovecit ka miratuar raportin për dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut të 5, 6 dhe 7 janarit 2026.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se raporti është hartuar mbi bazën e verifikimeve faktike dhe kërkesave të paraqitura nga qytetarët.

“Pas një procesi të detajuar vlerësimi dhe të vërtetimit të gjendjes faktike në terren, sot u miratua raporti për dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut, i cili mori mbështetje njëzëri edhe nga anëtarët e Kuvendit Komunal”, thuhet në njoftimin e tij.

Sipas Latifit, raporti është përgatitur në mënyrë profesionale dhe objektive nga komisionet komunale, duke reflektuar gjendjen reale të dëmeve të evidentuara.

“Raporti është përgatitur në mënyrë profesionale dhe objektive, duke u mbështetur në fakte konkrete dhe në gjendjen reale të regjistruar në terren”, ka deklaruar ai, duke shtuar se të dhënat e paraqitura dëshmojnë seriozitetin e procesit të vlerësimit.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se raporti do t’i dërgohet Komisionit Qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, me kërkesën që qytetarët e prekur të përfitojnë dëmshpërblim.

“Raportin do ta dërgojmë në Komisionin qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe do të kërkojmë që qytetarët e prekur të dëmshpërblehen nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Latifi.

Ndërkohë, raporti që lidhet me dëmet në infrastrukturën publike do t’i përcillet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Raportin e dëmeve në infrastrukturë publike do ta përcjellim në ministrinë përkatëse, ku do të kërkojmë përkrahje për sanimin e dëmeve”, ka shtuar ai.