Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna tha për rtv21 se tashmë Oda Ekonomike e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ZRRE-së, meqë, e njëjta nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Supreme për anulimin e vendimit për tregun e hapur energjetik.
Rafuna tha se Oda Ekonomike i dha një afat prej 5 ditësh bordit të ZRRE-së që të reflektojë në këtë vendim por që të njëjtit nuk kanë lëvizur.
Rafuna tha se vendimi i ZRRE-së dëmtoi bizneset pa fajin e tyre .
“Nuk është bërë me dëshirën tonë, por e kemi parë si rrugë, si hap të radhës që të sjellë në vëmendjen e tyre që mos zbatimi i vendimeve të gjykatave paraqet vepër penale dhe i kemi ofruar 5 ditë kohë për me reflektuar edhe për shkak të mos reflektimit qoftë me vetëdije qoftë pa vetëdije ne jemi detyruar që me ushtruar kallëzim penal, mirë po ne nuk do të ndalemi tani jemi në fazën e dytë me juristët tanë dhe të odës që po na ndihmojnë në këtë drejtim por nuk do të dorëzohemi sepse është një e drejtë ligjore që na takon. Bizneset janë dëmtuar me apo pa vetëdije të ZRrE-së, ne nuk jemi fajtor që nuk është ba një përgatitje e duhur e konkurrencës për me dal në tregun e lirë, nuk jemi fajtor që nuk është përgatitë infrastruktura ligjore për me dal në tregun e lirë, nuk jemi fajtor që nuk është përgatitë infrastruktura ligjore për me dal në tregun e lirë dhe nuk jemi fajtor pse qeveria ka pas ndikim te ZRrE për me u bë një vendim aq i dhunshëm që me i nxjerrë në mënyrë të dhunshme bizneset në tregun e lirë dhe me i dëmtuar Bizneset u përballën me shumë sfida këtë vit dhe energjia elektrike i ka detyruar të mendojnë të jenë apo të mos jenë në Kosovë…’’, tha Rafuna.
Ndërkohë, Rafuna tha se ZRrE përveç se po kryen vepër penale ajo me veprimet e saj do ta dëmtojë edhe buxhetin e shtetit.
“Unë prape e theksoj ne nuk jemi fajtor që ZRrE nuk ka njerëz profesionist brenda ose nuk punëson të tillë, por, po du me shpresuar që e kanë bërë pa qëllim edhe interpretimin për tregun e lirë por edhe interpretimit e vendimit të Supremes. Por, me këto veprime jo veç që po shkaktojnë vepër penale por edhe po e dëmtojnë shtetin, sepse të gjitha paditë e bizneseve që janë në tregun e lirë sipas vendimit të supremes do t’i kthehen biznesit. Biznesi do t’i bëjë padi ZRRE-së dhe do të dëmtohet edhe buxheti i shtetit sepse ZRRE nuk ka buxhet të vetin. Dhe them se ZRrE ka hyrë në një proces që aq e ka pështjellë situatën dhe komplikuar procesin sa që nuk e di si do të dalë nga situata, shpresojmë në një bord të ri’’, tha Rafuna.











