Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka vizituar sot “Comodita Home”, ku ka rifilluar prodhimi vetëm pak ditë pas zjarrit që e kishte përfshirë këtë fabrikë javën e kaluar.
Rifillimi i punës në një afat kaq të shkurtër është vlerësuar si një sukses i madh për industrinë vendore dhe ekonominë e vendit, raporton Klankosova.tv
Rafuna theksoi se rikthimi i shpejtë i prodhimit tregon përkushtimin e Shkëlqim Devollit, aksionarit të Devolli Corporation, ku bën pjesë edhe Comodita Home, të cilin e përgëzoi.
“Ky është lajmi ma i mirë për gjithë Kosovën, për ekonominë e Kosovës. Me të vërtetë duhet me ia heq kapelën z.Shkëlqim Devolli, që ka arritë në këtë periudhë kanë të shkurtë kohore ta rikthejë prodhimin dhe punëtorët të mos e ndjejnë ndaljen e prodhimit, ose uljen e eksportit. Uroj që të ecë e të shtohet prodhimi. I lus institucionet qendrore të krijojnë fonde, të qendrojnë afër biznesit. Çdo shtet lufton që ta shtojë eksportin.” – tha Rafuna për Klan Kosovën.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për bizneset, veçanërisht në situata emergjente, duke apeluar që shteti të jetë më afër sektorit privat për të garantuar stabilitet ekonomik dhe rritje të eksporteve.
Rikthimi i prodhimit në “Comodita Home” pa ndërprerje të ndjeshme për punëtorët dhe eksportin shihet si një sinjal pozitiv për klimën e biznesit në Kosovë dhe për qëndrueshmërinë e industrisë vendore.










