Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), ka folur lidhur me iniciativën e deputetëve të LDK-së dhe partive të tjera, përjashtimisht atyre të Vetëvendosjes, për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe kalimin në treg të hapur të bizneseve.
Rafuna ka thënë se e mira e vendit do të ishte që të ishte fillimisht i konstituar Kuvendi, në mënyrë që të jenë aktive komisionet të cilat do të reagonin me kohë në lidhje me problemet e krijuara.
“Ne edhe sot iu kemi drejtuar me kërkesë publike ZRrE-së, përveç shumë takimeve dhe kërkesave të tjera që ju kemi bërë, iu kemi drejtuar edhe në mënyrë zyrtare me kërkesë publike në mënyrë që ZRrE-ja të marrë vendim dhe ta shtyjë këtë vendim, sepse nuk është momentumi i duhur që bizneset tona të dalin në tregun e lirë. Kuptohet, dalja në tregun e lirë duhet ta ketë si qëllim të vetin të kesh mundësi të gjesh energji elektrike me çmim më të ulët dhe me kualitet më të lartë, në kuptimin e tensionit,” ka thënë Rafuna.
Tutje, në Five në RTV Dukagjini, ai ka thënë se bizneset në tregun e hapur po përballen me çmime nga 200-300% më të shtrenjta se që e kanë pasur deri më tani me çmimin e rregulluar.
“Është një tendencë e ngritjes së inflacionit jo vetëm në rajon e Kosovë, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian, gjersa në vitin e kaluar ne e kemi mbyllur inflacionin me 1.4%, kurse tani inflacioni po shkon mbi 2% në këta tre-katër muajt e parë dhe tendenca është që të shkojë tutje duke u rritur,” ka thënë ai.
Ai ka thënë se bizneset kosovare nuk janë të gatshme të dalin në tregun e lirë tani, pasi që janë totalisht të papërgatitura në aspektin financiar.
Rafuna tutje ka thënë se një pjesë e madhe e bizneseve do të mbyllen në qershor ose korrik si rezultat i pamundësisë së përballjes me kostot energjetike.
“Nuk munden me përballu, por edhe bizneset e mëdha nuk munden me përballu. Ne e kemi një anëtar tonin që i ka paguar 240 mijë euro në muaj faturën e rrymës… tani me ofertën e re ai do të paguajë 740 mijë, 200% më shumë se që ka pasur, dhe ai thotë se nuk ka mundësi ta përballojë këtë.”
Më tej ai ka thënë se kostoja e energjisë është kosto operative që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në prodhimin e produktit tonë vendor.
Rafuna ka thënë se qytetari i Kosovës po përballet dy herë me rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Një herë në ekonominë familjare prej 16.1% dhe herën e dytë në çmimin e ngritur të produktit tonë kosovar,” ka thënë ai, duke paralajmëruar se produkti vendor do të humbasë tregun si brenda vendit po ashtu edhe jashtë.
“Për arsye se më nuk do të jetë konkurrues me produktet e importuara dhe prodhimi jonë do të tkurret, dhe kur të tkurret prodhimi, këto fabrika, këta pak prodhues që i kemi… do të fillojnë me i liru punëtorët dhe do të mbyllen,” ka thënë Rafuna.