Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike dhe kësisoj po përballen me kosto të larta.
“Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që më 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur”, tha Rafuna, për Telegrafin.![]()
“Bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive”, shtoi ai.
Rafuna thotë se OEK nuk është kundër tregut të lirë, por kundër mënyrës si u zbatua.
“Nuk jemi kundër daljes në treg të lirë, por kemi kërkuar shtyrje proces transparent dhe dialog publik-privat që të mos dëmtohen bizneset”, ka thënë Rafuna.
Ai bëri të ditur Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të dorëzohet dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për padinë e ngritur kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, derisa shton se çmimi i rrymës po e mbyt prodhimin vendor.
“Çmim i energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ajo kalkulohet në çmimin final të produktit. Me automatizëm, produkti ynë del më i shtrenjtë se ai i importuar”, tha Rafuna.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe konsumatorët.












