Radoniqi takon eurodeputeten Loiseau: Rekomandimet e raportit do të trajtohen me seriozitet

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka pritur në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila ia dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjatë takimit, Radoniqi e falënderoi Loiseaun për angazhimin në përcjelljen nga afër të punës së KQZ-së dhe të gjithë procesit zgjedhor.

“Gjatë takimit, Radoniqi theksoi se për KQZ-në vëzhguesit e zgjedhjeve kanë një rol të pazëvendësueshem në rritjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe besueshmërisë së qytetarëve”.

“Ndërkaq, duke folur në veçanti për Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, Radoniqi theksoi rëndësinë e madhe që kanë për shtetin e Kosovës vlerësimet pozitive për organizimin e zgjedhjeve dhe përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat vijnë nga një mision evropian”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, bëhet e ditur se Radoniqi e siguroi eurodeputeten Loiseau se KQZ-ja do ta trajtojë me seriozitet raportin dhe rekomandimet e paraqitura në të.

“Në fjalën e saj, znj. Loiseau u fokusua në rekomandimet kryesore të cilat janë dhënë nga misioni evropian për përmirësimin e disa aspekteve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”.

“Po ashtu, shefja e MVZ-së, falënderoi KQZ-në dhe institucionet tjera për hapësirën dhe bashkëpunimit gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë”, thuhet në njoftim.