Radoniqi: Nga 10 mijë e 606 komisionerë, 35.47% janë gra

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur statistika për përbërjen gjinore të komisionerëve apo anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që do të angazhohen në zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor, raporton Ekonomia Online.

Radoniqi ka treguar se nga 10 mijë e 606 komisionerë, vetëm 3 mijë e 763 janë gra,

“Nga 10,606 anëtarë të këtyre këshillave, 64.53% e tyre apo 6,843 janë burra, ndërkaq 35.47% apo 3,763 janë gra. Përqindje të pjesëmarrjes së grave në trupat zgjedhore të njëjtë kemi pasur edhe në zgjedhjet lokale të para dy muajve. Nga 14,353 anëtarë, 63.24% apo 9,077 ishin burra, ndërkaq 36.76% apo 5,276 ishin gra”, tregoi Radoniqi.

Radoniqi i bëri këto komente gjatë tryezës “Barazia gjinore në proceset zgjedhore – Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore”, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku pjesëmarrës ishin dhe ambasadori i Francës, Olivier Guérot dhe shefi i OSBE-së, Gerard McGurk.

Gjithashtu, Radoniqi rikujtoi se KQZ ka përmbyllur certifikimin e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe sipas të dhënave, nga 1,180 kandidatë, 789 (66.86%) janë burra, ndërkaq 391 (33.13%) janë gra.

Radoniqi theksoi rolin e KQZ-së në përfaqësimin gjinor në proceset zgjedhore dhe sipas tij, KQZ është e përfshirë drejtpërdrejt në dy dimensione: në zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe në përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.

“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, tha Radoniqi.  /EO