Radoiçiqi grushton ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut (VIDEO)

Në një video të siguruar nga RTK, Millan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist të armatosur të Serbisë më 24 shtator të vitit kaluar në fshatin Banjskë, shihet duke grushtuar brutalisht Aleksandar Spiriqin, ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut. Sipas burimeve të RTK-së, ngjarja ka ndodhur kohë më parë në hotelin “GREY” në Kopaonik, Serbi, që thuhet se është pronë e Radoiçiqit.

RTK thotë se Millan Radoiçiqi mësohet se po zbaton një fushatë të egër ndaj serbëve që i dalin kundër interesave të tij biznesore, por edhe atyre politike.

Aleksandar Spiriq ka ushtruar detyrën e kryetarit ilegal të Mitrovicës së Veriut nga viti 2020 deri në vitin 2023.

Radiotelevizioni i Kosovës ka tentuar të vejë kontakt me Spiriqin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndërkohë, RTK ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione nëse Spiriq ka hapur ndonjëherë në Policinë e Kosovës ndonjë rast kundër Milan Radoiçiqit. Sipas Veton Elshanit nga Policia e Kosovës, në këtë institucion nuk është paraqitur ndonjë denoncim nga Spiriqi.

Millan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist, pretendohet se i ka nxjerrë telashe të mëdha edhe politikanit serb, Nikola Sanduloviq. Politikani opozitar serb pretendon se ishte arrestuar dhe rrahur nga BIA serbe më 3 janar të këtij viti.

Millan Radoiçiq kishte pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023 dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite, ku nga terroristët serbë, në kryerje të detyrës ka rënë polici, Afrim Bunjaku.

Radoiçiq dhe të dyshuarit që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, së fundi janë shpallur në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Pas sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiqi është futur edhe në listën e të kërkuarve nga INTERPOL, kurse kohë më parë, SHBA dhe Britania e Madhe e kishin vendosur në listën e zezë.

Edhe pse kanë kaluar disa muaj prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, autoritetet në Serbi ende nuk kanë bërë progres në hetimin e kësaj ngjarjeje.

Edhe senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, ditë më parë nga Konferenca e Munihut, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Related Posts