Agim Plashiniku, qytetari që u konfrontua gjatë ditës së djeshme me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli, ka bërë kallëzim penal ndaj saj.
Në dokument thuhet se kallëzimi penal është bërë për shkak se, “më datën 25 korrik, 2025, pranë një kafeterie te Komuna e Prishtinës, këtu Fitore Pacolli dhe asistenti i saj sulmojnë fizikisht qytetarin këtu palën e dëmtuar Agim Plashniku, ku ngjarja ka rrjedhur në momentin kur Agim Plashniku pasi që i afrohet deputetes Fitore Pacolli në mënyrë të qetë dhe të kulturuar (video-incizimi), qytetari Agim Plashniku në gjet simbolik për të shprehur indinjatën me rrethanat politike të vendit dhe korrupsionin e madh që po mbretëron në vend, i afrohet deputetes dhe i thotë ‘a po ma paguan edhe mua faturën’”.
“Pra, ky gjest simbolik drejtuar deputetes Fitore Pacolli ishte për faktin se ajo ishte e përfshirë në një skandal të korrupsionit e që skandali ishte publikuar në çdo portal dhe gjithë qytetarët janë njoftuar për këtë skandal, dhe në atë moment, Fitore Pacolli ngrihet në këmbë, i afrohet qytetarit Agim Plashniku dhe e kap për dore, duke ngritur zërin dhe piskamën se unë ty nuk të tutem dhe më pas, qytetarit Agim Plashiniku i afrohet edhe asistenti i Fitore Pacollit i cili e shtyn fizikisht qytetarin duke pasur kontakt fizik, pra janë incizimet, provat materiale dhe dëshmitarët e rastit këtu si personeli i Avokatit të Popullit, vetë Naim Qelaj, i cili ka qenë dëshmitar okular i rastit që do ta dëshmojë situatën e sulmit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal për Klan Kosova.
“Kësodore, me veprimet e tilla dhe me dashje direkte, Fitore Pacolli dhe asistenti i saj ka kryer veprën penale të ‘Sulmit’, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës”, theksohet më tej.
Qytetari Agim Plashniku ndërmori dje një aksion simbolik protestues ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë qëndrimit të saj në një kafene në Prishtinë.
Plashniku i dorëzoi deputetes një kupon fiskal nga i njëjti lokal, duke i kërkuar që t’ia paguajë atë, ndërsa e akuzoi për përvetësim të parave publike, duke e quajtur “hajne” dhe duke iu referuar “milionave të vjedhura”.
“Përshëndetje deputete! Si je? Paguma këtë faturë. A të kujtohet kur thoshe ‘hajna’, pse nuk i fusni në burg?”, tha Plashniku, duke vazhduar me akuza ndaj deputetes dhe bashkëpartiakëve të saj.
“Ti paguaje, e ju çka jeni? I keni vjedhur milionat, marre, marre këtë shtet po e vjedhni. Ti je ‘hajduke’, me Albinin, hajne, hajne”, u shpreh Plashniku.
Pas reagimit të veteranit, deputetja Pacolli u ngrit në këmbë dhe i tha se nuk i frikësohet dhe se do të njoftojë policinë: “Nuk guxon të më prekësh”.
Për më tepër, personi që ishte me deputeten Pacolli, që dyshohet të jetë këshilltari i saj, ngrihet në këmbë dhe e shtyn Plashnikun.
Policia e Kosovës konfirmoi lirimin e tij pas intervistimit në stacionin policor, në lidhje me protestën ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi se ndaj Plashnikut është iniciuar hetim për veprën penale “Kanosje”.
“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë”, deklaroi Borovci.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.