Faturat e energjisë elektrike, një numri të qytetarëve u erdhën më të larta se sa në muajin paraprak. Madje disa thonë se kanë pasur dyfishim të çmimit për energjinë e shpenzuar. Eksperti i energjisë tregoi arsyet që mund të kenë dërguar deri te këto çmime.
Fatura e energjisë elektrike i erdhi rreth 50% më shumë në muajin dhjetor se sa në muajin nëntor.
Avdi Gjata nga Prishtina thotë se për rrymën e njëjtë të konsumuar ka paguar 38 euro më shumë.
E për këtë, ai paralajmëroi edhe protestë.
“Një 50% mua më kanë ardh me shtrenjtë, çka është tepër është tepër, por ne do të organizojmë protestë, vetëm të shohim këto zgjedhje. Muajin paraprak e kam pasur 37 euro, këtë muaj 75 euro… jo nuk kemi bërë kurrfarë shpenzimi më shumë se ne jemi në banesë.. Nuk është problemi vetëm këto dy vite të shtrenjtimit por kjo do të vazhdoj meqenëse sistemi energjetik i Kosovës është i shkatërruar”, shprehet qytetari Avdi Gjata .
E jo vetëm Gjata, edhe disa qytetarë të tjerë janë ankuar për fatura të energjisë elektrike.
“Është rrit edhe shumë është rritur, muajin e kaluar e kam pasur 31 euro, këto muaj e kam pranuar 43 euro, atë shpenzim e kam pasur si muajin e kaluar”, thotë një tjetër qytetar.
Eksperti i energjisë, Vezir Rexhepi tregoi arsyet se pse u janë dyfishuar faturat konsumatorëve.
“Tash e dini që kanë fut në veprim edhe bllok tarifat mbi 800 kilovat dhe kjo domosdo duke ditur që për ngrohje e përdorin energjinë elektrike edhe këto bllok tarifat tejkalohen tek shumë familje dhe kjo e kap atë çmimin dukshëm më të lartë se sa deri në 800 kilovat dhe kjo e rrit faturën e energjisë elektrike” vlerëson ai.
E madje në muajin mars, nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë bërë të ditur se do të merret vendimi për tarifat e reja energjetike të cilat do të hyjnë në fuqi në muajin prill.
Por sipas ekspertit të energjisë, çdo rritje e çmimit të energjisë do të jetë një vendim jo i duhur.
“Duke pasur parasysh aspektet ekonomike, sociale duhet të mendohen, mirë mendohen dhe të analizohen mirë, në mënyrë që të jepen vendime të drejta. Por aktualisht duke pas parasysh edhe energjinë, faktikisht nga termocentralet që e shfrytëzojnë diku mbi 80%, që prodhojnë ato me një çmim shumë të volitshëm. Duke pas parasysh edhe faktorët e tjerë me implikime ekonomike në Kosovë po besoj që nuk ka vend tash për tash për rritje të çmimit të energjisë elektrike”, thotë Rexhepi.
Ditëve të fundit, shumë qytete në Kosovë janë duke u përballur edhe me ndërprerje të energjisë për shkak të mbingarkesës.













