Qytetarët e Shtimës edhe sot do të vazhdojnë të protestojnë para objektit të Gjykatës kundër vendimit për paraburgim të pronarëve të shtëpisë që u grabitën nga hajnat, me ç’rast, njëri mbeti i vdekur.
“Sot me datë 09.08.2019 në ora 11:00 para Gjykatës në Ferizaj vazhdojmë protestën kundër vendimit të Gjykatës që burgosi pronarët e shtëpisë, ku natë më parë u grabitën dhe u plagosën nga grabitësit. Hajni si pasojë e përleshjes morri plagë dhe ndërroj jetë, ne si familjar ndjejmë keqardhje por Nuhi Ndrecaj ka reaguar në vetëmbrojtje”, thuhet në njoftimin e dërguar për media, transmeton Fokusi.
Përmes kësaj proteste ata po kërkojnë lirimin e vëllezërve Ndrecaj, derisa kanë kërkuar edhe mërgimtarët t’i bashkëngjiten.
“Ne kërkojmë nga Gjykata që ti lirojë Vëllezërit Ndrecaj menjëherë dhe të koncentrohet në kapjen e hajnave të tjerë që ende janë në liri dhe ku qytetarët dhe posaqërisht mërgimtarët po rrezikohen gjatë pushimeve të tyre në shtëpinë e tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.