SMS me përmbajtje mashtruese kanë pranuar disa qytetarë të Kosovës, njoftoi Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) më 10.03.2025.
Këto mesazhe telefonike, që kryesisht vijnë nga numra jashtë Kosovës, përmbajnë linqe të rreme duke imituar portalin e-Kosova dhe duke kërkuar pagesa për gjoba të pretenduara në trafik
Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj mesazheve mashtruese.
Sipas komisioneres së AIP-së, Krenare Sogojeva Dermaku, mesazhet e tilla telefonike njihen si mashtrime kibernetike.
“SMS-të e tillë njihen si mashtrime kibernetike, që fatkeqësisht në vendin tonë kohëve të fundit vazhdimisht janë duke u shfaqur dhe qëllimin kryesor e kanë mbledhjen e të dhënave personale të qytetarëve apo edhe llogaritë bankare që normalisht pastaj ndikojnë në buxhetin e familjeve”, tha Krenare Sogojeva Dermaku.
Ajo theksoi se gjatë vitit 2024 janë identifikuar tri raste të mashtrimeve të tilla, pra me anë të mesazheve telefonike me përmbajtje të rreme.
“Vetëm gjatë vitit 2024 ose deri në këtë kohë që po flasim si Agjenci e Informimit i kemi identifikuar tri raste të tilla, madje ka pasur raste kur edhe zyrtarët e Agjencisë kanë qenë pre, jo e mashtrimeve por e pranimit të këtyre SMS-ve. Por, qëllimi është që qytetarët ta kuptojnë se nuk bën të kilikojnë në këta SMS të tillë dhe të jenë pre e joshjeve sikurse kjo e fundit me gjoba ose kur ofrojnë ndonjë produkt i cili dihet edhe prej mënyrës së se adresës që shkruhet aty apo numrit te telefonit nga dërgohet SMS”, tha mes tjerash ajo.
Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje qytetarëve se nëse pranojnë një SMS të tillë ta raportojnë menjëherë për të ndihmuar në bllokimin dhe hetimin e tyre. /Kallxo.com/