Qytetarët e kanë obligim t’ia përmendin Kurtit aferat korruptive

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka folur para gazetarëve para nisjes së seancës plenare, me ç’rast ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet të hap rrugë, ose të krijojë mundësi të reja për formim të institucioneve.

I pyetur lidhur me deklaratën e Albin Kurtit se deputetët po i marrin pagat përkundër që nuk po konstituohet Kuvendi, Zemaj ka thënë se qytetarët e kanë për obligim me ja përmend kryeministrit në detyrë varfërinë e korrupsionin, shkruan Reporteri.net.

“Nuk kemi ndonjë indikacion që LVV ka bërë ndonjë marrëveshje, si parti e parë. Përndryshe, çka po ndodh me Kuvendin është e tepërt. Ata ose duhet të hapin rrugë ose të mos vazhdojnë me ngërçin”.


“Qyetarët e kanë obligim me ia përmend varfërinë e shtuar, aferat korruptive besa edhe elementet të bashkëpunimit me krimin e organizum”, tha Zemaj. /Reporteri.net/.






Mërgim Lushtaku: Lluksi i Qeverisë po ec me shumë se çdo send

Reporteri

07 Qershor 2025 | 10:57

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtku, ka folur para fillimit të seancës plenare, ku ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë si parti që ka marrë besimin më të madh në zgjedhje nga qytetarët.

Ndërsa, komentoi deklaratën e kryeministrit në detyrë, se deputetëve po ju ec rroga, Lushtaku tha e njëjta po ndodh edhe me Qeverinë, shkruan Reporteri.net.

“Rroga i ec edhe deputetëve edhe qeverisë, lluksi i qeverisë po ec me shumë se çdo send”.

“Neve na kanë votuar qytetarët për me i marrë qëndrimet tona, i kemi përgjegjësitë tona edhe partiake, por kemi obligime edhe ndaj Kosovës”, tha Lushtaku. /Reporteri.net/

 

 

 






Tifozat Kuq e Zi nuk marrin pjesë në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Reporteri

07 Qershor 2025 | 10:18

Tifozëve Kuq e Zi nuk iu është lejuar pjesëmarrja në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila zhvillohet në Tiranë.

Anëtari i Tifozave Kuq e Zi, Ariglon Pali  tha se nuk është hera e parë që tifozët shqiptarë nuk lejohen në një ndeshje të Shqipërisë, pasi diçka e tillë ndodhi në Beograd më 2014, ku federata serbe nuk i lejoi ata, derisa Pali shton se një gjë e tillë po ndodh edhe nga Federata Shqiptare.

“Federata është sjell në mënyrë shumë arrogante me Tifozët Kuq e Zi, një grupim që ka 21 vjet që funksionin, që është themeluar dhe e ndjek Kombëtaren në çdo ndeshje, dhe në një moment që ti nuk do të trazosh serbët, sepse Tifozat Kuq e Zi nuk e kanë dëmtuar kurrë Federatën Shqiptare, por Federata është druar shumë nga sharjet që i janë bërë serbëve, ndoshta është mërzitur edhe nga disa sharje që i janë bërë zotit president në ndeshjen e fundit”, tha ai për KlanKosova.

Tutje, Pali tha se FSHF-ja e ka personale me Tifozat Kuq e Zi.






Media serbe e xhiron fshehurazi stërvitjen e Shqipërisë në Tiranë, reagon trajneri Sylvinho

Reporteri

07 Qershor 2025 | 8:18

Një skandal mediatik ka shpërthyer para përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Mediumi serb “Kurir” ka publikuar pamje të marra fshehurazi nga stërvitja e Kombëtares shqiptare në Tiranë, duke i shoqëruar me një titull provokues:

Ky veprim ka ngritur shqetësime për shkeljen e etikës profesionale dhe tentativat për tensionim të atmosferës para ndeshjes.

Sylvinho reagon qetë ndaj provokimit

Në konferencën për shtyp, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, reagoi me maturi ndaj këtij raportimi:

“Trajneri i Serbisë tha se i ka parë 5-6 ndeshje tona. Edhe ne i kemi parë po aq ndeshje të tyre. Nuk ka asnjë efekt ky raportim dhe ato incizime.”

Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet me fokus dhe qetësi, pa u ndikuar nga manovrat provokuese jashtë fushe. Gjithçka pritet të zgjidhet aty ku duhet – në fushën e lojës./GazetaExpress/






The Guardian për ndeshjen Shqipëri-Serbi: Pajisjet kundër dronëve janë gati, Ismail Morina është “zhdukur”

Reporteri

07 Qershor 2025 | 8:13

Jashtë një kafeneje tre blloqe larg nga Arena Kombëtare, dy burra qëndronin mbi karrige dhe po montonin pajisje në tendën mbrojtëse.

Dreka e së enjtes sapo kishte kaluar dhe Tirana po përgatitej për një ndeshje që mund të kishte mbushur stadiumin kombëtar të paktën 10 herë. Nuk kishte asnjë vështirësi për të identifikuar flamurin shqiptar, shqiponja e zezë me dy koka që shtrihej nga qendra e saj.

Flamuri i dytë që po ngrihej është bërë gjithashtu i zakonshëm. Ai mbante fjalën “Autochthonous”, duke paraqitur një version të hartës së “Shqipërisë së Madhe” që e shndërroi një ndeshje futbolli në një incident madhor diplomatik në vitin 2014.

Të premten në mëngjes ai flamur ishte zëvendësuar me një version më pak nxitës. Ndoshta autoritetet kishin hyrë për një “bisedë të qetë”. Ata duan të eliminojnë çdo shkak të mundshëm për trazira si ato që shpërthyen në Beograd 11 vite më parë, kur një dron uli imazhin e diskutueshëm në stadiumin e Partizanit gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Europian mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasojat e asaj nate shkuan përtej sportit, dhe pati lehtësim të përgjithshëm kur, në nëntorin pasues, ndeshja e kthimit në qytetin shqiptar Elbasan kaloi pa incidente madhore.

Me siguri fytyrat ranë në pëllëmbë në federatat e të dy vendeve në dhjetor të vitit të kaluar, kur shorti i kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 i vendosi përballë njëra-tjetrës. U ngritën vetulla në arenën ndërkombëtare, por nuk kishte asgjë që i pengonte të përballeshin sërish: pavarësisht një historie të gjatë dhe të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës janë nga lufta në Kosovën me shumicë etnike shqiptare, kombet nuk janë në konflikt aktiv. Asnjëri nuk kishte kërkuar të shmangte tjetrin. Ishte e pashmangshme që problemi i marrëdhënieve në kontekstin e futbollit të rishfaqej një ditë.

Asnjë burim nuk po kursehet për ta zgjidhur. Rreth 2,000 efektivë policie do të vendosen për ndeshjen e parë të Grupit K të shtunën në mbrëmje, përfshirë forcat speciale dhe antiterror. Gjithashtu, burime sugjerojnë se deri në 500 policë me rroba civile do të jenë mes 22,500 spektatorëve. Tifozët e huaj nuk do të jenë të pranishëm. Pajisje kundër dronëve po instalohen në zonën përreth dhe personat e paralajmëruar se pajisjet e tyre do të rrëzohen nga qielli.

Me shumë gjasa, çdo përpjekje për trazira do të marrë një formë tjetër; dronët nuk ishin aq të zakonshëm në jetën publike kur ai mjeti i vogël shkaktoi kaos në Beograd. Por masat e marra rikujtojnë Ismail Morinën, operatorin e vinçit me mjekër dhe dukje të padëmshme, i cili u shpall hero kombëtar për pranimin e përgjegjësisë për incidentin e vitit 2014. Edhe pse nuk u raportua gjerësisht atëherë, Morina kishte një bashkëpunëtor që ka preferuar të qëndrojë në hije.

Veprimi i Morinës pati kosto: ai u arrestua për mbajtje të paligjshme armësh para vizitës së Serbisë në 2015, duke u mbajtur larg syve të publikut gjatë asaj ndeshjeje. Më pas u burgos në Kroaci dhe Itali, ku kishte leje qëndrimi, sipas një urdhër arresti serb të lëshuar përmes Interpolit. Ai është rikthyer në stadiumet shqiptare, duke u ngritur mbi krahët e tifozëve në ndeshjen ndaj Çekisë në vitin 2023 dhe duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani. Së fundmi është parë në ndeshje vendore, por në prag të takimit të së shtunës, llogaritë e tij të dikurshme në rrjetet sociale janë zhdukur. Nëse ndonjë nga të njohurit e tij e di ku ndodhet, nuk e thotë. Supozohet se ai nuk do të rrezikonte të afrohej pranë stadiumit të shtunën.

Ai nuk do të jetë i vetmi ultra, i kaluar apo aktual, që do të mbahet larg. Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka shitur bileta në grup për tifozët organizuar, por i ka shpërndarë përmes shortit nga më shumë se 200,000 aplikime dhe ka rritur çmimet. Kjo duket si përpjekje e qëllimshme për të “pastruar” atmosferën; grupi Tifozat Kuq e Zi, që krijon pamjen më të gjallë në ndeshjet e kombëtares, reagoi ashpër dhe e cilësoi një “farsë të organizuar” në favor të të pasurve. Ata do të organizojnë një mbledhje alternative te Piramida e Tiranës, 400 metra nga stadiumi, ku është dhënë leje për një ekran gjigant. Në tregun e zi, çmimet e biletave kanë kaluar 1,000 paund.

Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpresin Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027 shton një tjetër dimension. Nëse pritshmëritë janë të larta për vendasit e së shtunës, po aq janë edhe për organin drejtues të futbollit europian, UEFA. Një marrëveshje kaq ambicioze, e shtyrë kryesisht nga presidenti i FSHF-së dhe nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e paqëndrueshme nëse ndodh ndonjë incident. Tifozat Kuq e Zi kanë shprehur kundërshtinë ndaj bashkë-organizimit si me fjalë, ashtu edhe me simbole vizuale, dhe mendojnë se kjo ka ndikuar në përjashtimin e tyre.

I vetmi shpërqendrim gjatë stërvitjes së Shqipërisë të enjten në mbrëmje ishin disa vaditës shumë të zellshëm, praninë e të cilëve askush nuk e kundërshtoi në temperatura mbi 30°C. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios, është i vetmi lojtar aktual që ishte në ndeshjen kaotike të Beogradit. “Nuk duhet të përsërisim pamjet e viteve të kaluara,” tha ai. “Trajneri na ka kërkuar të mos panikosemi për këtë ndeshje. Duhet qetësi dhe ekuilibër emocional.”

Sylvinho, trajneri në fjalë dhe një prej karaktereve më të afërt të futbollit ndërkombëtar, bëri shaka ndërsa luante me topin me ndihmësit e tij, por është nën presion për të dhënë rezultate. E njëjta gjë vlen për Dragan Stojkoviç, homologun e tij. Anglia, që plotëson pesëshe e Grupit K bashkë me Letoninë dhe Andorrën, shihet si fituese e sigurt nga të dy kampet. Shqipëria dhe Serbia e dinë që po luftojnë për një vend në “play-off” dhe përballjet mes tyre – e dyta do të zhvillohet për katër muaj – do të jenë vendimtare.

Në orën 13:40 me orën lokale të premten, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre një milje në perëndim të qendrës së Tiranës. Oficerë të armatosur nga RENEA, forca antiterror e Shqipërisë, rrethuan dy autobusë që kishin udhëtuar nga aeroporti me eskortë. Hapi i parë i një operacioni që do të zgjasë gjatë fundjavës kaloi pa probleme. Nëse gjithçka mbetet kështu, ndoshta hija e 14 tetorit 2014 do të fillojë më në fund të zhduket. /Top Channel






Sonte në “Air Albania”, Shqipëria përballet me Serbinë, kërkon vetëm fitore

Reporteri

07 Qershor 2025 | 8:09

Shqipëria dhe Serbia do të përballen sot në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026.

Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.

Shqipëria ka mbledhur deri tani 3 pikë nga dy ndeshje të luajtura, ndërsa për Serbinë kjo do të jetë ndeshja e parë në grup. Kujtojmë që sfidat mes këtyre dy ekipeve kanë pasur gjithmonë tensione dhe emocione të veçanta.

Atmosfera në Tiranë pritet të jetë elektrizuese, ndërsa të dyja skuadrat synojnë të marrin pikët e plota për të ecur përpara në garën e gjatë drejt Botërorit.

UEFA ka shpallur tashmë emrat e zyrtarëve të ndeshjes, ku takimi do të drejtohet nga gjyqtari italian Davide Massa.

Asistentët e tij në këtë përballje të rëndësishme do të jenë Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca.

Në dhomën e VAR-it, teknologjia që gjithmonë ka rol vendimtar në ndeshje të tilla, do të jenë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka theksuar se kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të synuar fitoren ndaj Serbisë, në përballjen e së shtunës në Tiranë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botërorit 2026.

“Shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur, janë 90 minuta të gjatë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët. Rruga drejt Botërorit është e gjatë”, ka deklaruar Sylvinho. /Reporteri.net/.






Sot përpjekja e 28-të për konstituimin e Kuvendit, a do të tejkalohet ngërçi?

Reporteri

07 Qershor 2025 | 7:54

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në tentativën e 28-të, në përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.  Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse.

Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i saj. Në asnjërën nga votimet për të, Haxhiu  s’ka marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur, i nevojiten 61, shkruan Reporteri.net.

Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 27 vazhdime të saj. Nesër është seanca e 28’të dhe deri tash nuk ka ndonjë sinjal për rrugëdalje nga ngërçi i krijuar tash e dy muaj.

Në seancën e mbajtur të enjten, VV ra në 50 vota, duke mos arritur të kalojë Komisionin për zgjedhjen e Kryetarit me votim të fshehtë. VV e ka përsëritur këtë strategji qe disa seanca, pavarësisht kundërshtimit nga partitë e tjera për ta ndryshuar formën e votimit në mes të procesit.

Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.

Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.

“50 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca. Takohemi më 7 qershor, në orën 11:00”, tha Dehari.

Deputetët po i marrin rrogat, ndonëse në secilën seancë, sidomos ato të fundit, puna e tyre në Kuvend është 10-15 minuta.

Çështja e pagave të tyre dhe ngërçit të krijuar është diskutuar të premten, në ditën e festës së Kurban Bajramit. Tema është hapur nga Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.

Gjatë pritjes tradicionale në BIK, Tërnava ka pritur një delegacion të qeverisë në detyrë, të kryesuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Tërnava ka ironizuar në një moment të bisedës, duke thënë se do të donte t’i ftonte të gjithë deputetët ta prenjë nga një kurban, me shpresën se do të ndihmonte kjo në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Desha t’i ftojë të gjithë anëtarët e Parlamentit ta premë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, ka thënë Tërnava.

Ndaj kësaj ka reaguar Kurti duke e bërë një “distancim” duke thënë se deputetëve “rrogat po ju ecin…”

Dikush nga pala e Bashkësisë Islame ka reaguar duke thënë “najfarë mësyshi e keni…”./Reporteri.net/