Qytetarët ankohen për faturat e larta të rrymës, ekspertët paralajmërojnë krizë të thellë energjetike

Çmimet e larta të energjisë elektrike po shndërrohen në një shqetësim kryesor për qytetarët e Kosovës.

Faturat e fryra, të cilat arrijnë deri në dhjetëra euro më shumë për anëtarë të familjes, po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme, sidomos me afrimin e dimrit dhe rritjen e shpenzimeve për ngrohje.

Një qytetar ka publikuar fotografi se fatura e tij e energjisë elektrike në tetor të vitit 2019 ishte 54 euro, ndërsa këtë vit në tetor 2025 ajo ka arritur në 169 euro, një rritje shumë e madhe.

Ekspertët e ekonomisë dhe energjetikës paralajmërojnë se kjo situatë është pasojë e politikave të padrejta të çmimit të energjisë, mungesës së transparencës dhe sistemeve joefikase, dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.

Gjata: Kosova 25 vjet pa kapacitete të mjaftueshme të prodhimit të energjisë

Gazetari Mehmet Gjata, njohës i vjetër i sektorit të energjisë ka deklaruar për se qeveria aktuale në detyrë nuk ka mundësi reale për të mbrojtur qytetarët nga çmimet e larta të energjisë elektrike.

“Qeveria, e sidomos kjo në detyrë, ose në dorëheqje, për shkak të rrethanave të ditura, nuk mund të bëjë, praktikisht shumë, për të mos thënë asgjë, për të mbrojtur qytetarët nga kostoja e lartë e rrymës. Kosova tashmë 25 vjetë nuk ka rrymë të mjaftueshme  të prodhuar nga kapacitetet vetanake (termocentralet e KEK-ut), ndërsa mungesat, që gjatë sezonit të dimrit, bëhen shumë të theksueashme, duhet domosdo të kompenzohen ose nga importi I shtrenjtë, ose nga reduktimet e ashpra në konsumin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Gjata kritikoi të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe atë të fundit, për mungesë vizioni dhe paaftësi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

“Të gjitha qeveritë e deritashme, edhe kjo e fundit, janë treguar të pa shkathet dhe të padijshme, pa vizione konkrete të realizueshme, për të ndërtuar  kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike, qoftë sosh nga qymyri, qoftë kapacitet prodhuese të energjisë së rinovueshme. Të gjitha këto kanë mundur të bëhen, por klasa politike vendimmarrëse  në të gjitha qeveritë u dëshmuar miope dhe e pa zoja për ta bërë këtë punë”, thotë Gjata.

Gazetari i energjetikës: Rritja e çmimit të rrymës ka tronditur mirëqenien e qytetarëve

Gazetari Mehmet Gjata, i cili për vite me radhë ka mbuluar sektorin e energjisë, në një prononcim ka folur ndaj ankesave të qytetarëve për faturat e fryra të rrymës, duke thënë se rritja mbi 16 për qind e çmimit të energjisë elektrike në prill ka shkaktuar një çekuilibër të madh në mirëqenien e kosovarëve.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 16 për qind ka shkaktuar një çekuilibrim tronditës në mirëqenien e kosovarëve, e sidomos të shtresave të varfra. Çmimi i ngritur, pak i ekzagjeruar aspak përmasat e pasojave, ka shtuar varfërinë, ka rritur ndjeshëm numrin e të varfërve qëkur është fuqizuar ngritja e çmimit të rrymës, konsumatorët e grupit të amvisnisë i kanë mbi 16% të ardhurat më të mangëta,  dhe kanë më pak fuqi blerëse dhe mirëqenie të jetesës më të varfër”, shprehet ai.

Gjata ka kujtuar se institucionet ishin të vetëdijshme për këto pasoja, por nuk morën masa të mjaftueshme për t’i parandaluar.

“Këto pasoja i kanë pasur të ditura institucionet dhe disa ditë para se të ngritët çmimi i energjisë elektrike, sa për sy e faqe, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Kosovës në komentet e tyre gjatë konsultimit publik, kanë kërkua kinse shpërndarjen më të drejtë të barrës tek konsumatorët, ku ka kërkuar që rritja e çmimeve të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 ëËh dhe të krijohen më shumë blloqe tarifore për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë elektrike”, thotë Gjata.

Gjata ka shtuar se mundësitë për të mbrojtur konsumatorët tani janë pothuajse minimale.

“ZRRE-ja si pati parasysh kërkesat e institucioneve dhe as të konsumatorëve. Pasojat tashmë janë gurë në qafë për kosovarët shumicë. Pasojat e ngritjes enorme të çmimit kanë dalë për lëndinë e, ndërkohë që mundësitë për të bërë diçka për mbrojtjen e konsumatorëve nga këto pasoja janë pothuajse minimaliste”, tha Gjata.

“KEK e shet lirë, qytetarët e paguajnë shtrenjtë” – Ish-ministri i Tregtisë për faturat e fryra të energjisë

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka reaguar për “Front Online” ndaj pakënaqësive të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike, të cilat sipas tij, janë dukshëm më të shtrenjta krahasuar me vitin e kaluar.

“Qytetarët me të drejtë po shprehin pakënaqësi për faturat e energjisë elektrike që kanë ardhur dukshëm më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme, sepse çmimi i energjisë elektrike tashmë është bërë i papërballueshëm për shumë familje”, thotë Mulaj.

Ai shprehet se një nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje është modeli i padrejtë i çmimit të energjisë.

Mulaj ka shtuar se kjo diferencë krijon barrë të panevojshme mbi konsumatorët.

“Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është se, ndonëse KEK-u e prodhon energjinë me kosto shumë të ulët, ajo ia shet atë KEDS-it me çmim të lirë, ndërsa më pas qytetarët detyrohen ta blejnë me çmime shumë më të larta. Kjo diferencë e padrejtë çmimi krijon barrë të panevojshme mbi konsumatorët”, shprehet Mulaj

Ish-ministri Mulaj ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente të institucioneve përkatëse për të zbutur situatën e krijuar nga faturat e larta të rrymës.

“Institucionet përkatëse të ndërhyjnë me masa të qarta: të rishikohen politikat e çmimit të energjisë, të kërkohet transparencë më e madhe nga KEDS dhe ZRrE në mënyrën e llogaritjes së faturave, dhe të sigurohet që qytetarët të mos paguajnë më shumë sesa konsumojnë realisht”, ka deklaruar Mulaj.

Eksperti i ekonomisë paralajmëron: Dimër i vështirë për qytetarë, faturat e energjisë janë rritur deri në 35 euro

Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli është deklaruar ndaj rritjes së faturave të energjisë elektrike, duke thënë se shumë qytetarë po përballen me pagesa të fryra që arrijnë mesatarisht deri në 35 euro për anëtar të familjes.

“Faturat e fryra të energjisë në mesatare deri në 35 euro për anëtarë të familjes. Dhimbje për popullin, përgjegjësi për qeverinë. Qytetarët po përballen me një situatë të padurueshme: faturat e energjisë janë fryrë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa dimri afrohet dhe shumë familje nuk kanë mundësi të ngrohen si duhet”, thotë Qorrolli.

Ai ka theksuar se situata është bërë e padurueshme për shumë familje, me inflacionin e lartë që ka prekur ekonominë familjare.

“Inflacioni i lartë, çmimet e larta dhe mungesa e buxhetit e bëjnë këtë dimër edhe më të vështirë për njerëzit që jetojnë me të ardhura të pakta”, shprehet ai.

Sipas Qorrollit, qeveria ka dështuar të mbrojë qytetarët dhe të planifikojë në kohë, duke e quajtur këtë “një pasqyrë të krizës së thellë të qeverisjes”.

“Qeveria që duhet të jetë mbrojtëse dhe planifikuese është e dobët, e paaftë dhe shpesh e fokusuar vetëm tek karriget dhe interesat e veta. Është e qartë se populli po paguan pasojat e paaftësisë dhe neglizhencës së qeverisë, institucionet nuk ofrojnë asgjë për të lehtësuar barrën. Populli nuk mund të mbetet peng i paaftësisë dhe interesave private të atyre që qeverisin”, ka deklaruar ai.

Oda e Afarizmit: Qytetarët po përballen me fatura të larta të energjisë, qeveria pa gatishmëri për t’i ndihmuar

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti është shprehur se nga vendimi për rritjen e cmimit të energjisë elektrike kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe kostove të jetesës.

Ai ka kujtuar se ishte paralajmëruar se një vendim i tillë do të rëndonte ekonominë familjare, sidomos me fillimin e sezonit të ftohtë.

Ahmeti tha se institucionet nuk kanë treguar asnjë gatishmëri për të ndihmuar qytetarët që po përballen me fatura të fryra.

“Prej kur e kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë prej 16.1% dhe do të rritët çdo produkt e çmim dhe tash me fillim të rënies të temperaturave rritjes së madhe të faturave të energjisë. Nuk kemi par asnjë gatishmëri me ju dal në ndihmë qytetarëve gjithë qytetarët janë jetim nga kjo pjesë se askush s’po merr asnjë vendim për ta zbutur këtë situatë të vështirë”, thotë Ahmeti për “Front Online”.

Në vitin 2022 çmimi i energjisë elektrike ishte ngritur për 100 për qind, ndërsa në vitin 2023, për 14 për qind. Rritja e fundit që u aprovu nga ZRRE ishte në prill të këtij viti prej 15 për qind, që në total për 4 vite mandat Qeveria Kurti i bie se e ngriti çmimin e rrymës në 129 për qind.