QUINT’i se lë Kosovën në KiE pa Asociacionin, Qeveria në dorëheqje e quan të padrejtë këtë “kriter jozyrtar”

Kosova humbi edhe shansin e këtij viti për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës pasi vitin e kaluar dështoi ta bëjë këtë në mungesë të mbështetjes ndërkombëtare. Përsëri, kërkesa e saj nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Europës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg. Arsyeja e mospërfshirjes është e njëjta – refuzimi i Kosovës për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vota me shumicë pro e Asamblesë Parlamentare në mesin e prillit të vitit të kaluar për ta bërë Kosovën anëtare të organizatës më të vjetër europiane për të drejtat e njeriut u përdor nga liderët e vendit për ta paraqitur këtë si punë të kryer. Paraprakisht qeveria ishte pajtuar që t’ia regjistrojë Manastirin të Deçanit pronën që ishte një kërkesë tjetër. Procesi ngeci shpejt kur kjo pikë s’u përfshi në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të KiE – si organi vendimmarrës – që u mbajt një muaj pas.

Kosovës iu kërkuan hapa konkretë drejt zbatimit të zotimit të marrë në dialogun Kosovë-Serbi për themelim të Asociacionit. Refuzimi për të mos ndërmarrë këta hapa zgjati edhe këtë vit nga ana e Kosovës dhe e njëjta u aplikua edhe nga Komiteti i Ministrave. Për më tepër, takimi i këtij viti i këtij gjeti Kosovën pa institucione të themeluara.

Nga qeveria në dorëheqje e parashtruan të njëjtën ankesë sikurse vitin e kaluar për përzierje procesesh.

Por, për kushtin e vendosur nga disa shtete anëtare të KiE nuk u fol hapur.

“Askund nuk parashihen “kritere jozyrtare”, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë” tha zëvendësministri i jashtëm në largim Kreshnik Ahmeti.

“Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg”, shkroi sot zëvendësministri i Jashtëm në detyrë, Kreshnik Ahmeti.

“Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen “kritere jozyrtare”, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë”.

Ahmeti shtoi se të gjithë ata që mund të kenë shqetësime për të drejtat e pakicave në Republikën e Kosovës mund t’i referohen raportit të Juristëve Eminentë të Këshillit të Europës, për të cilin tha se thekson se Kosova i tejkalon standardet ndërkombëtare në këtë fushë.

“Ndërkohë, për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave, nuk ekziston dhe nuk mund të imagjinohet asnjë mekanizëm vendor apo ndërkombëtar më efektiv sesa Këshilli i Evropës, me të gjithë mekanizmat e tij, veçanërisht me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Ahmeti tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si “mjet pazari apo levë presioni”.

“Ky trajtim është një sinjal shqetësues për rajonin, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin”.

Në fund, Ahmeti tha se procesi i anëtarësimit “është i pakthyeshëm”.

Ai tha se institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, “duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate”.

Për këtë temë, në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, tha se dje ka folur me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë.

“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës”, tha Zyra e Kryeministrit për këtë takim.

Edhe në këtë takim, Kurti s’e përmendi fare Asociacionin si kushtin që po e bllokon anëtarësimin dhe as nuk dha ndonjë sinjal se do të plotësonte këtë për të ecur para.

ZKM tha se Kurti ia ka rikujtuar diplomatëve të huaj në vend se “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare”.

Po ashtu, Kurti iu ka thënë ambasadorëve se “avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë europiane”.

Sidoqoftë version krejt tjetër dhanë diplomatët që ishin me Kurtin për këtë takim. Mesazhet e tyre ishin të përqendruara në formimin e institucioneve të vendit dhe daljen nga cikli bllokues në Kuvend.

Sipas Enver Hasanit, profesorit të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare çështja e Asociacionit, kushtit për anëtarësim në KiE, është arsyeja e ngërçit institucional.

“Arsyeja kryesore e zvarritjes dhe ngërçit institucional lidhet me implementimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në territorin e Kosovës, e cila është pranuar lirshëm nga Kryeministri Albin Kurti në Ohër, në pranverën e vitit 2023. Të gjitha çështjet e tjera janë thjesht shkaqe dhe justifikime për të shmangur këtë detyrim ndërkombëtar të Kosovës” ka thënë Hasani në një intervistë të martën për Gazetën Express.