Rexhep Qosja njoftoi sot se do të votojë për herë të parë prej vitit 2000 dhe se vota e tij do të shkojë për Vetëvendosjen. Në vitin 2012, ai krahasonte sjelljet e Vetëvendosjes me Policinë e Kosovës, si sjellje ‘ndaj policisë serbe’.
“Kur është formuar Vetëvendosja si subjekt politik, mund të them sinqerisht se e kam pritur me gëzim.
Do kemi një parti të re, e përbërë kryesisht prej të rinjve.
Të irnjtë sjellin ide të reja, koncepte të reja, mendime të reja, sjellje të reja etj etj.
Atë përkushtim që kisha në fillim ndaj Vetëvendosjes, nuk mund të them se e kam tani.
E para, për dy arsye nuk e kam tani, e para nuk e kam këtë përkushtim këtë entuziazëm që kisha ndaj Vetëvendosjes, për arsye se kam përshtypjen se Vetëvendosja bën një politikë të veçimit ose nëse përdorë një fjalë të huaj, të izolimit të Kosovës.
Nuk mund të ngritemi ne kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Nëse ato kërkojnë të hyjmë në bisedime me Serbinë, ne do të hyjmë në bisedime.
ShBA dhe BE e kanë njohur Kosovën dhe me vetë faktin që kanë njohur Kosovën, ato kanë pranuar do obligime ndaj Kosovës.
Kurrfarë rreziku nuk mund të përfaqësojë për Kosovën derisa e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Nuk e pranoj këtë politikë të izolimit që shihet në sjelljet dhe në politikën e Vetëvendosjes sepse një politikë e tillë e veçimit të Kosovës – e këtë e kanë treguar në vazhdimësi ndaj shumë sjelljeve e politikave që janë bërë në Kosovë, djemtë e Vetëvendosjes. Edhe për një arsye nuk pajtohem me VV-në, me mungesën e një parimësie të tyre. Nuk tregojnë një parimësi në politikën e tyre, kam pritur që pikërisht ata do ta tregojnë një parimësi.
Flasin kundër korrupsionit, epo mirë, fol kundër korrupsionit por fol konkretisht. Hajde t’i dëgjojmë konkretisht të flasin”, deklaronte Qosja në këtë intervistë.
Qosja në këtë intervistë, thotë edhe se ‘nuk i përkrahte sjelljet e dhunshme të VV-së në protesta” sidomos ndaj ‘policisë së Kosovës’.
Deklaronte se ‘nuk mund të sjellemi me policinë tonë si dikur ndaj policisë serbe’.
“Unë i përkrah protestat, grevat e demonstratat. Janë institucione të demokracisë, por nuk i përkrahi disa sjellje.
Nuk mund të sjellemi ne ndaj policisë sonë pa arsye si jemi sjellur dikur ndaj policisë serbe. Ajo ishte polici e pushtuesit, e atyne që ushtronin dhunë e terror ndaj popullit tonë.
Policia jonë, janë djemtë tanë, janë vajza tona, ne i kemi rritë. Nuk mundemi t’i nxisim edhe ata të përdorin dhunën që mund të jetë e papranueshme. Pra, nuk i përkrah disa sjellje të Vetëvendosjes në protesta”, thotë Qosja në këtë intervistë.