Vigan Qorrolli, profesori i Juridikut, ka thënë se taksa doganore ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, mund ta bëjë kurban kryeministrin Ramush Haradinaj.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se “siç e bëri demarkacioni kurban ish-kryeministrin Isa Mustafa, taksa mund ta bëjë kurban Haradinajn”.
Ai ka thënë se përkeqësimi i raporteve Kosovë – SHBA për shkak të refuzimit që të pezullohet taksa siç kërkon SHBA-ja, është për shkak të çakordimit dhe luftës së brendshme politike mes liderëve shtetërorë presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Haradinaj e ka prekur idenë e Thaçit që veçse kishte filluar të dialogonte me homologun Vuçiq për çështjen e sovranitetit dhe kufijve. Kur nisi të merrte bekimin e ndërkombëtarëve, Haradinaj vuri taksën. Siç duket taksa i pengon aleatët tanë që kërkojnë që Kosova të konsultohet para pajtimit përfundimtar me Serbinë. Meqenëse ka diskrepancë të madhe mes liderëve, tregon që edhe perëndimi ka qenë i neglizhuar, s’është konsultuar. Jemi në fazë që kërkon të jesh apo të mos jesh, për Haradinajn e koalicionin qeveritar. Ka nisur të flitet për strategji dalëse, ose heqjen e taksës ose qeverisë”, ka thënë Qorrolli.
Ai më tej ka thënë se refuzimi i Haradinajt për pezullimin e taksës duhet të kuptohet në dy rrafshe.
“Në rrafshin e parë është mosmarrëveshja e thellë politike me aleatët e brendshëm dhe e dyta me pasigurinë e tij në rrafshin ndërkombëtar, pasi dihet se edhe Haradinaj e liderët tjerë mund të jenë potencialisht njerëz që kërkohen nga Gjykata Speciale”, ka shtuar Qorrolli.
Qorrolli ka thënë se Haradinaj i ka dy zgjidhje: Ose të largohet ose ta heqë taksën e të vazhdojë qeverisjen.
Duke folur për raportimet se SHBA-ja ka kërcënuar me heqjen e pranisë ushtarake në Kosovë, Qorrolli ka thënë se “kjo do të sillte në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës”.
“Është si raporti profesor-student. Nëse një mentor heq dorë nga mentorimi, studenti bie nga provimi. Nëse ne guxojmë të biem nga ky provim i madh. Nëse vjen puna aty, vaj halli për shoqërinë tonë. S’besoj se ka një shqiptar të Kosovës që ka guxim të prishë aleancën me SHBA-në e aq më pak të largohet prezenca ushtarake e tyre këtu. S’kemi aleat tjetër, pasi BE-ja është e përçarë për Kosovën. Kanë probleme tjera”, ka deklaruar Qorrolli që më pas ka shtuar se “inatet dhe beteja për pushtet në vend mund të bëjë Thaçin e Haradinajn të jenë në gjendje të prekin edhe raportet me SHBA-në”.
Se a duhet të ndodhin zgjedhjet së shpejti, Qorrolli ka thënë se ato “duhet të ndodhin, por s’do të ndodhin pa u kryer marrëveshja me Serbinë”.