QMF-ja e përuruar 8 muaj më parë në Pejë, mbulohet nga lagështia

Stafi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare 3 në Karagaq të Pejës nuk do ta shfrytëzojë për disa muaj objektin e ri që u përurua para 8 muajve. Kjo, për shkak se në objektin e ri ka probleme me lagështinë, meqë izolimi i objektit nuk u bë siç duhet.

Me ceremoni solemne u përurua para 8 muajve, por objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare 3 në Karagaq të Pejës nuk do të shfrytëzohet për disa muaj.

Kjo për shkak se punët nuk u bënë si duhet me izolimin dhe brenda mureve të objektit kanë depërtuar lagështia e myku.

Shefi i kësaj qendre, Ajfer Muhaxhiri, thotë se shkaku i këtyre problemeve do të zhvendosen në një qendër tjetër.

“Kjo lagështi ka filluar qysh prej disa muajve, i kemi lajmëruar operatorin dhe mirëmbajtësit, ata kanë ardhur dhe e kanë vrojtuar situatën, e kanë zbuluar problemin e tash kanë marrë masa, ose këtë muaj, ose muajin tjetër do të transferohemi në një objekt tjetër deri te operatorët ta rregullojnë këtë problem”, ka thënë ai.

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Eleonora Bala, ka akuzuar qeverisjen lokale për mosseriozitetin e trajtimit të çështjeve në komunë.

Ajo ka thënë se kanë ngritur shqetësime për shfaqjen e telasheve me lagështinë për këtë qendër, por ato nuk janë marrë seriozisht.

“Është shumë shqetësuese, sepse në këtë qendër graviton një numër i madh i pacientëve dhe këtu vërehet një lagështi jashtëzakonisht e madhe. Kemi ngritur si çështje, por çështjet tona nuk janë marrë asnjëherë si serioze, më shumë janë nënkuptu si çështje politike, sesa si çështje që duhet të rregullohen për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Bala.

Në një përgjigje për KOHËN, në Komunën e Pejës kanë thënë se kjo çështje është në proces të rregullimit.