Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se nga nesër, më 26.01.2026, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Sipas informatave të pranuara nga zyrtarët kufitarë të palës serbe, ndërprerja vjen si pasojë e protestave të shoferëve të kamionëve në territorin e Serbisë, të organizuara për shkak të masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e rajonit.
Protestat pritet të zgjasin deri në shtatë ditë.
QKMK paralajmëron se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mund të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit të përfshira në protesta.
Autoritetet u rekomandojnë shoqatave të transportit të mallrave dhe shoferëve të kamionëve që të mbajnë kontakte të vazhdueshme me homologët dhe kolegët e tyre në rajon, për t’u informuar me kohë mbi zhvillimet.
Për informata shtesë, qytetarët dhe operatorët e transportit mund të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar në numrat:
+383 45 198 000, +383 45 198 606, si dhe në numrin pa pagesë 0800 500 95.










