Qeverisja e re në Mitrovicë e harron afatin, detyrohen ta thërrasin seancën sonte në 21:30

Seanca e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, e cila ishte paraparë të mbahej nesër në ora 10:00, është zhvendosur për sonte në ora 21:30.

Ky ndryshim i papritur vjen për shkak të afatit ligjor për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Sipas Ligjit, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga dita e betimit të kryetarit të komunës.

Afati ligjor skadon sonte në ora 00:00, pasi Faton Peci ishte betuar më 12 dhjetor.

Burime brenda komunës bëjnë të ditur se seanca është thirrur në orët e vona të mbrëmjes për të shmangur tejkalimin e këtij afati ligjor.