Për kërkesat për shtrenjtim të energjisë elektrike, të cilat mund ta marrin aminin e ZRRE-së, qeveritarët nuk e kanë parë të arsyeshme të deklarohen. Në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë për Dukagjinin, përmendet vetëm mënyra se si funksion ZRRE-ja, por nuk jepet qëndrim për rreth mundësisë që të rëndohet barra e qytetarëve me faturat e rrymës.
Shqetësimit që tek qytetarët ka shkaktuar lajmi se mund të shtrenjtohet energjia elektrike, nuk i është përgjigjur Qeveria.
Zyrtarët qeveritarë nuk e kanë parë të arsyeshme të flasin për kërkesat që qëndrojnë në sirtarin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Televizioni Dukagjini gjatë ditës ka kërkuar një koment të Kryeministrit lidhur me kërkesat e KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s, por pa sukses.
Ministria të cilën e udhëheqë Artane Rizvanolli, ajo e Ekonomisë ka zgjedhur të na tregoj se si funksionon ZRRE-ja, në vend se të japë një qëndrim për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës.
“Rregullatori i Energjisë (ZRRE) është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë dhe bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë elektrike. Lidhur me çështjen për të cilën keni shtruar pyetje, ju lutem drejtojuni komunikatës së fundit të lëshuar nga ZRRE”, thuhet nga ana e Ministrisë së Ekonomisë.
Qeveritarët citojnë saktë ligjin kur thonë se ZRRE-ja, të paktën me “letra”, është institucion i pavarur, por në përgjigjen e tyre harrojnë të cekin se anëtarët e Bordit dhe Kryesuesi zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.
Pikërisht, shefi aktual i Bordit, Ymer Fejzullahu, më 2 gusht 2021, në Kuvendin ku shumicë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, është votuar për këtë pozitë.
E, kur është fjala për komunikatën e lëshuar nga ZRRE, ajo pretendon se po spekulohet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
“…Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sqaron edhe një herë opinionin publik se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore. Aplikimet janë publikuar në faqen elektronike të ZRRE-së, ashtu siç janë pranuar, dhe mund të konsultohen nga publiku…”.
Në komunikatën me pesë paragrafe, me asnjë argumentim, askund nuk vihen në dyshim raportimet e mediave se është kërkuar shtrenjtimi i rrymës, por shpjegohen procedurat, të cilat sigurisht janë të zakonshme dhe kanë ndodhur para çdo vendimi për shtrenjtim të rrymës./Dukagjini/.