“Qeveria po na pengon”, Rama kallëzim penal ndaj inspektorit për Trashëgëmi kulturore për sheshin “Xhorxh Bush”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se është iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke thënë se ky institucion i ka bllokuar të gjitha projektet transformuese.

Ai ka shkruar në Facebook se “përpjekjet për të punuar në interes të qytetarëve janë penguar nga strukturat qeveritare”, derisa u shpreh se kjo është bërë për arsye politike e për interesa të ngushta.

Rama ka thënë të hënën se do të veprojnë me vendosmëri ndaj secilit që guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës.

Më 12 mars, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ia kishte ndaluar Ramës punimet në sheshin “Xhorxh Bush” pasi s’kishte bërë kërkesën për miratim të projektit tek Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, me ç’rast ishin ndaluar punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro.

Inspektorati kishte vendosur shirita dhe shenja zyrtare për ndalim të punimeve, derisa i kërkonte Komunës së Prishtinës që të merrte leje në një afat prej 30 ditësh. Komuna më pas ka dorëzuar në Institut projektin për shtatë fazat e punimeve në shesh.

Efikase është treguar Komuna e Prishtinës sa i përket procedurave ligjore pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia ka ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.