Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 27 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sivjet qeveria ka bërë disa ndryshime në përbërjen e komisionit.
Për dallim nga viti i kaluar, Qeveria ka përmirësuar “gabimin” që në 27 vjetorin kishte lënë jashtë këshillit kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, duke e emëruar sivjet si bashkë kryesues.
Në 27 vjetorin e Epopesë, Qeveria ka lënë jashtë edhe disa figura të njohur për deklarata anti-UÇK. Hekuran Murati, Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla nuk do jenë anëtare të Këshillit.
Kryetari i Skenderaj, Fadil Nura e ka mirëpritur vendimin e emërimit të tij si bashkëkryesues i Këshillit duke thënë se vitin e kaluar ka pasur ‘gabime dhe ngecje në shumë procese’.
“Si çdo herë qe kemi qenë anëtarë të këshillit, e kam aprovuar dhe kemi gatishmëri gjithmonë në funksion të organizmit të Epopesë së UÇK’së. Nuk hezitojmë po jemi të gatshëm. Vitin e kaluar kanë bërë gabim sepse organizimi ka pas ngecje në shumë procese”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi.
Ai thotë se kontributi i tij do të jetë në aspektin organizativ pasi kompleksi “Adem Jashari” shtrihet në territorin administrativ të Skenderajt.
Tutje, ai ka kritikuar që vitin e kaluar Qeveria kishte emëruar si anëtarë të këshillit ministren e jashtme, Donika Gërvalla duke e cilësuar si jo relevante.
“Ministrja i jashtëm me qenë në këshill organizativ për një çështje të brendshme që është përgjegjësi nuk e shoh absolutisht relevante” tha ai tutje për Gazetën.
Në këtë përbërje, sipas vendimit të ekzekutivit marrin pjesë:
1. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;
2. Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt, bashkëkryesues;
3. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;
4. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;
5. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;
6. Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, anëtar; dhe
7. Përfaqësues nga Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar,
Me këtë vendim, Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues.