“Qeveria nuk e mbështet protestën e OVL-UÇK”, Mickoski: Do kujdesemi që mos të ketë provokime

Në prag të protestës të së shtunës tek Sheshi Skënderbeu në Shkup e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Kosovë, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski njoftoi se shteti do të angazhohet për t’u kujdesur për pjesëmarrësit që gjithçka të kalojë në qetësi dhe të mos ketë provokime e incidente.

“Qeveria nuk e mbështetë dhe nuk kemi ndërmend ta mbështesim. Gjithsesi ne do të kujdesemi që kjo të kalojë në rendin më të mirë, të mos ketë incidente, të mos ndodhë diçka që nuk duam të ndodhë. Nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje politike. Ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka nga pranimi në kufi e deri te realizimi dhe përfundimi i protestës. Për këtë janë informuar dhe partnerët tanë strategjik ndërsa kemi formuar dhe shtab të krizës për të ndjekur të gjitha aktivitetet 24 orë para dhe pas protestës”, tha Hristijan Mickoski kryeministër.Mickoski tha se protesta është organizuar nga BDI-ja ndërsa shprehi keqardhje që partneri qeveritar Izet Mexhiti e mbështetë atë.

“Supozoj se ky vendim i Mexhitit është nën presion të organizatorëve duke menduar se nëse nuk i mbështetë, do të humbë pikë politike, gjë që mendoj se është vendim i gabuar. Qëllimi është i qartë, dikush po përpiqet të mobilizohet në mënyrë të tillë, e kam fjalën për BDI-në. Mendojnë se kështu do t’i mobilizojnë votuesit e tyre”, shtoi Hristijan Mickoski – Kryeministër, shkruan Alsat.mk.

Protesta do të mbahet më 13 dhjetor duke filluar nga ora 13, tek sheshi Skënderbeu.