Qeveria njëvjeçare në detyrë, e pakuptimtë dhe e pamundur

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përfunduan dhe rezultatet përfundimtare u shpallën, megjithatë, certifikimi i tyre pritet të bëhet javën e ardhshme.

Pas certifikimit të rezultateve, Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje për të kaluar në statusin e qeverisë në detyrë.

Sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, është e pamundur që qeveria të qëndrojë në detyrë për një vit të plotë, ashtu siç deklaroi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abidxhiku.

“Me një mendje destruktive dhe bllokuese të formimit të institucioneve, mund të shkojmë deri në marsin e 2026-së me qeveri në detyrë”, ishte deklarata e Abdixhikut.

Ligjëruesi universitar, Mazllum Baraliu, në një përgjigje për Albanian Post thekson se kjo çështje teknike nuk është e përpunuar në detaje dhe nuk është e paraparë në mënyrë specifike.

Baraliu pohon se “në asnjë mënyrë ekzekutivi s’mund të qëndrojë si qeveri në detyrë deri në mars të 2026-së”.

“Nëse mandati i parë dështon, Kushtetuta përcakton se presidentja e vendit ka të drejtë të mandatojë një parti të dytë ose një koalicion të dytë, pas konsultimeve me subjektet politike dhe duke u bazuar në rezultatet zgjedhore. Kjo parti ose koalicion i dytë ka afat 15 ditë për të formuar qeverinë dhe për ta prezantuar në Kuvend, ku duhet të sigurojë mbi 61 vota”, deklaron Baraliu për AP.

Në rast se qeveria nuk arrin të krijohet, nuk mbetet zgjedhje tjetër përveçse të shpallen zgjedhje të reja.

Ligjëruesi universitar, Mazllum Baraliu

“Nëse as ky mandat nuk arrin të krijojë qeverinë, atëherë presidentes nuk i mbetet zgjedhje tjetër, përveçse të shpallë zgjedhje të reja, në përputhje me Kushtetutën”.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, gjatë një bisede për Albanian Post, deklaron po ashtu se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që përcakton një afat të caktuar për kohëzgjatjen e një qeverie në detyrë.

“Ligji për Qeverinë përcakton mundësinë e dorëheqjes, që për rrjedhojë nënkupton një Qeveri në detyrë. Megjithatë, për të arritur në këtë pikë, fillimisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet t’i certifikojë rezultatet zgjedhore. Në anën tjetër, nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që mund të përcaktojë një afat të caktuar për kohëzgjatjen e një qeverie në detyrë, pasi supozohet se një qeveri e re do të zgjidhet menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor”, deklaron Cakolli për AP.

Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë qeverinë e re, mund të shpallen zgjedhje të reja.

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”,

“Në këtë rast, qeveria aktuale do të mbetet në detyrë deri në përfundimin e procesit të ardhshëm zgjedhor. Kushtetuta nuk ka paraparë një afat të caktuar, por duke u bazuar në interpretimin pozitiv të vlerave kushtetuese, Kuvendi ka për obligim ta zgjedhë qeverinë e re. Nuk ka ndonjë afat specifik, si për shembull marsi i vitit 2026 apo ndonjë vit tjetër, por thjesht përcaktohet se qeveria duhet të zgjidhet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve”.

Nëse qeveria nuk formohet nga partia fituese në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, atëherë mund t’i hapet rruga opozitës.

“Nëse qeveria e propozuar nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme, atëherë qeveria paraprake do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e një qeverie të re, e cila mund të jetë nga partia në pushtet ose nga opozita, në varësi të asaj që arrin të sigurojë shumicën e votave në Kuvend”, sqaron ai.

Të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar si partia e parë me 42.3 për qind të votave të fituara, apo 396 mijë e 387 vota. Kjo parti ka marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95 për qind të votave, apo 24 ulëse. Kjo parti ka siguruar 196 mijë e 474 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 18.27 për qind të votave, apo 20 ulëse. LDK ka grumbulluar 171 mijë e 357 vota, koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vend të katërt me 7.06 për qind të votave, apo tetë ulëse dhe kanë grumbulluar 66 mijë e 256 vota.

Në nivel vendi, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 966 mijë e 283 qytetarë, apo 46.54 për qind nga gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 persona të regjistruar. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë 27 mijë e 433.