Qeveria në detyrë akuzohet për tejkalim të kompetencave

 

Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës për rritjen e shtesave për lehonat e punësuara dhe të papunësuara ka nxitur reagime dhe kritika për legalitetin e këtij veprimi. Duke filluar nga muaji korrik, lehonat e papunësuara do të marrin një shtesë prej 325.9 euro për gjashtë muaj, ndërsa ato të punësuara do të marrin një shumë të ngjashme për tre muaj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë se kjo rritje është në përputhje me rritjen e pagës minimale, duke theksuar se vendimi është në funksion të përkrahjes sociale dhe barazisë ekonomike.

Megjithatë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e cilësoi vendimin si të jashtëligjshëm dhe jashtë kompetencave të një qeverie në detyrë. Ajo kritikoi edhe faktin që një qeveri me mandat të kufizuar po ndërmerr vendime me implikime të mëdha buxhetore. “Është e papranueshme që një kryeministër në detyrë të marrë vendime të tilla pa kompetenca të plota, duke qëndruar në pozitë në mënyrë të paligjshme,” shkroi Hoxha në Facebook.


Kostoja totale për zbatimin e këtij vendimi, vetëm për pjesën e mbetur të vitit, parashikohet të jetë rreth 10 milionë euro. Po ashtu, në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë miratoi edhe pjesën e dytë të vendimit për rritjen e pagave për sektorin publik, duke e çuar pagën mesatare nga 755 në 865 euro.