Qeveria ndalon TikTokun në institucionet publike

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social “TikTok” në të gjitha institucionet publike.
Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila ishte e 211-ta me radhë.

Aty u tha, se ndalimi i TikTokut është bërë me qëllim të eliminimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i këtij rrjeti social.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se përmes ndalimit të funksionalizimit të tik-tokit po synohet parandalimi i dulmeve kibernetike.

“Obligohen të gjitha institucionet publike që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e përdorimit të rrjetit social tik-tok. Po ashtu të gjithë zyrtarët publikë janë të detyruar që në telefonat e tyre zyrtar ta ndalojnë këtë rrjet. Masa vie si parandalim. Janë të gjitha shtetet evropiane që kanë ndërmarrë hapa të tillë. Ne jemi duke u kujdesur që të kemi masa parandaluese dhe mos të vijmë një masë ku mund të ketë sulme dhe pastaj të merremi me pasojat. Në pajisje personale lejohet përdorimi, por nuk lejohet që rrjetit shtetëror të përdoret gjatë asaj kohe”, tha ai.

Dobra foli edhe për luftën ndaj përdorimit të substancave narkotike.

“Strategjia është dokumenti kryesor në fushën e drogave. E njëjta është në përputhje me programin e qeverisë për vitin 2021-2025. Strategjia elaburon edhe problemet me ta cilat shoqëria përballet në lidhje me dukurinë e drogës dhe dëshmon sukseset e deritanishme të qeverisë. Ky dokument trajton edhe trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë si dhe rritjen e bashkëpunimit me institucione të ndryshme. Vizioni i saj është ulja e prezencës dhe konsumimit të drogave, duke krijuar një shoqëri të sigurt”, shtoi ai./Lajmi.net/