Qeveria me përgjegjësi të kufizuara

Ligji për qeverinë nuk i ka dhënë zgjidhje çështjes së kompetencave që mund t’i ushtrojë ekzekutivi pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar. Ai flet veç për kufizimet që ka qeveria, por nuk saktëson se nga kur nis kufizimi – kur t’i mbush saktësisht katër vjet, apo kur të certifikohet rezultati i zgjedhjeve

Në dy mënyra është interpretuar në shoqërinë civile obligimi ligjor që anëtari i Qeverisë ka me t’u zgjedhur deputet.

Sipas pikës 1 të nenit 26 të Ligjit për Qeverinë “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti që mban para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

Por në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se dorëheqja nuk është e nevojshme të bëhet.
Gëzim Shala, hulumtues në këtë institut, thotë se ka mospërputhje në Kushtetutë në lidhje me fillimin e mandatit të deputetit pasi, sipas tij, diku thuhet se ai nis me t’u certifikuar rezultatet e diku me t’u konstituuar Kuvendi.

“Marrja e nenit copy-paste nga Kushtetuta në ligj vetëm sa e ka komplikuar këtë situatë. Dhe tash qëndrimi i IKD-së dhe interpretimi ynë është që veprimi duhet të shkojë në interpretimin logjik të Kushtetutës në atë mënyrë që të mos krijohet vakum institucional ashtu që praktikisht i bie që ministrat nuk duhet që të japin dorëheqje deri në momentin e konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Shala.

Ndryshe mendojnë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).
Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, ka thënë se mandati i deputetëve fillon me certifikimin e rezultateve dhe se dorëheqja e anëtarëve të kabinetit qeveritar është formalitet.

“Mandati i qeverisë në kuptimin kohor kalendarik skadon në ditën e fundit të mandatit katërvjeçar. Meqenëse ligji e lidh mandatin e qeverisë me mandatin e rregullt të kuvendit, në këtë rast thuhet se mandati i deputetëve të kuvendit përfundon në ditën kur certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, atëherë konsiderohet se mandati i rregullt i parlamentit si organ ose i legjislaturës së vjetër skadon kur certifikohen rezultatet e reja”, ka thënë ai, raporton Koha.net. 

Sipas Bugaqkut, dorëheqja edhe mund të mos ndodhë, pasi me t’u certifikuar rezultatet qeverisë i kufizohen kompetencat.

“Obligimi për të dhënë dorëheqje është për faktin se nuk mundet njëkohësisht, pra në ditën kur pritet të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, një person i cili është deputet i zgjedhur tashmë nga zgjedhjet e reja që të jetë edhe deputet, edhe ministër. Pra është mirë, është e preferuar që të njëjtit paraprakisht para se të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të deklarohen për dorëheqje nga posti i ministrit”, ka thënë ai.

Ligji ka lënë edhe një situatë jo të qartë. Ai flet veç për kufizimet që ka qeveria, por nuk saktëson se nga kur nis kufizimi – kur t’i mbush saktësisht katër vjet, apo kur të certifikohet rezultati i zgjedhjeve.
Shala e Bugaqku thonë se Qeveria nuk mund të propozojë projektligje të reja, të marrë nisma për marrëveshje ndërkombëtare e të bëjë emërime.

“Kjo qeveri tanimë për shkak të kalimit të mandatit konsiderohet si qeveri në detyrë dhe sipas Ligjit për qeverinë, kompetencat janë të kufizuara, kryesisht mund të ndërmarrë vetëm veprime që janë të parapara në planin vjetor të qeverisë apo ato të cilat janë të parashikuara me buxhetin vjetor”, thotë Shala.

Në anën tjetër, kufizimet sipas Bugaqkut nuk vlejnë në disa situata.

“Përjashtimisht thotë ligji hipotetikisht në një situatë të jashtëzakonshme, ku ka ndonjë gjendje lufte apo emergjente, apo të shpallur të jashtëzakonshme, atëherë këto kufizime nuk vlejnë për qeverinë e cila konsiderohet që ka mandat të skaduar”, thotë ai.

Qeveria Kurti 2 të shtunën që shkoi ka mbushur plot 4 vjet të mandatit të qeverisës. Më 22 mars të vitit 2021, Albin Kurti qe votuar si kryeministër me 67 vota për, 30 kundër e asnjë abstenim, pak orë nga konstituimi i legjislaturës së tetë.