Qeveria Kurti nuk e mban edhe një premtim: Punonjësit e sektorit publik u mashtruan për Ligjin e Pagave

Sot është 31 marsi, dita e fundit e muajit në të cilin Qeveria e Kosovës kishte premtuar se do ta procedonte Projektligjin për Pagat e Sektorit Publik në Kuvendin e Kosovës.

Shkoi edhe ky muaj e Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj.

Qeveria po kritikohet nga opozita, por po përballet edhe me sindikatat të cilat kanë paralajmëruar protesta gjatë muajit prill, shkruan Demokracia.com.

Ishte vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai që më 20 janar në seancën e Kuvendit të Kosovës s’e ky projektligj do të jetë gati në muajin mars.

Sveçla po atë ditë kishte thënë se janë duke punuar në këtë projektligj.

Sipas tij, projektligji për paga gjatë shkurtit do të diskutohej me sindikatat, ndërsa në muajin mars do të procedohej Ligji i Pagave.

“Ashtu siç kam diskutuar për këtë temë, ministria është e përkushtuar për përfundimin e Ligjit për Paga në sektorin publik. Përgjatë kësaj periudhe janë zhvilluar takime për finalizim të listave përcjellëse të ligjit. Në këtë periudhë jemi duke punuar me Ministrinë e Financave. Në fillim të këtij viti janë kontaktuar edhe sindikatat. Ministria planifikon të fillojë procedurën paraprake. Muaji shkurt është i rezervuar për një debat të gjerë për projektligjin. Gjatë muajit mars do të procedojë ligjin në Qeveri. Unë pajtohem se numri i qenve endacakë ka marrë përmasa shqetësuese. Vërehet se ka nevojë për qasje strategjike. Qeveria ka filluar angazhimin për zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Sveçla më 20 janar, përcjell Demokracia.com.

E sot kur marsi po përfundon, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sjellë për miratim në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Besnik Tahiri nga kjo parti opozitare tha se Qeveria është zotuar që ky ligj do të sillet në Kuvend më 31 mars, por që sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), dy ditë më parë ka paralajmëruar se do të organizojë protestë më 8 prill në Prishtinë.

Sipas BSPK-së, deri tek ky vendim kanë ardhur për shkak të moszbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, zvarritjes së hartimit të Projektligjit për Paga dhe për shkak të mosinicimit të amendamentit për skemat pensionale.

Në një komunikatë për media, BSPK ka bërë të ditur tri kërkesat kryesore që do t’i parashtrojnë në protestën që do të mbahet më 8 prill 2022.

1. Të u jepen nga buxheti i shtetit nga 100€ të gjithë të punësuarve në sektorin publik, përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në miratimin e Ligjit për Paga.

2. Të gjenden fondet e duhura dhe mënyra e duhur për fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

3. Të iniciohet amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti.

Sipas kësaj komunikate, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret nga Partneri Social – Qeveria se do të merret seriozisht me kërkesat e arsyeshme të punëtorëve.