Qeveria Kurti kishte paguar 15 mijë euro për blerjen e 500 kopjeve të librit skandaloz të Shkëlzen Gashit

Saktësisht 14,999 euro kishte shpenzuar Qeveria e Kosovës për blerjen e 500 kopjeve të librit “Maskrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashin.

Përmes një tenderi të negociuar – pa publikim, Ministria e Punëve të Jashtme kishte lidhur kontratë me shtëpinë botuese “Dukagjini” për blerjen e 500 kopjeve të librit, “Maskrat në Kosovë 1998-1999”.

Kontrata ishte lidhur në maj të vitit 2025, me specifik që librat të ishin të përkthyer në gjuhën angleze.

Sipas Dosjes së Tenderit për “blerjen e librave për masakrat në Kosovë 1998-1999 në gjuhën angleze”, MPJD kishte caktuar si kriter “një numër të masakrave të dokumentuara nga forcat serbe kundër civilëve, kryesisht shqiptarë, në vitet 1998-1999”.

Libri që për autor ka Shkëlzen Gashin, drejtorin e organizatës joqeveritare “Admovere”, dikur edhe ish-këshilltari i Albin Kurtit, ishte kritikuar qysh moti nga historianët.

Ky libër ose thënë më saktë të dhënat në këtë libër u kuptuan nga qytetarët vetëm pas shfaqjes së ekspozitës në sheshin e Prishtinës.

Ekspozita e organizuar nga “Admovere” e Shkëlzen Gashit dhe “Integra”, e bazuar në librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ka nxitur reagime për pasaktësi, sidomos për klasifikimin si të armatosur për një pjesë të të vrarëve nëpër masakra. Kjo ka ndodhur në shumicën e tabelave që paraqesin të dhëna për masakrat.

Lidhur me të dhënat skandaloze të paraqitur në këtë libër, rrjedhimisht edhe në ekspozitën në shesh, fillimisht reaguan të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës. Ata kërkuar reagim të menjéhershëm nga instutucionet, duke potencuar se një narrativë të njëjtë për masakrat në Kosovë e ndjek Serbia.

Organizatorët kanë thënë se janë mbështetur në burime ndërkombëtare, ndërsa Kuvendi që ka mbështetur financiarisht ekspozitën ka thënë se nuk e verifikon, por ka kërkuar korrigjim të gabimeve.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës në mbrëmje njoftoi për pezullim të lejes për ekspozitën.

Vetë Gashi përmes një reagimi mbrëmë ka fajësuar shtetin për mungesë të një liste të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit, teksa ka përsëritur se të dhënat që i ka publikuar në ekspozitë janë marrë nga një listë e organizatës joqeveritare “Humanitarian Law Center (HLC)”, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

Libri i Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, është promovuar në disa vende të botës.